Ka disa gjëra që ekonomia (dhe shoqëria) shqiptare i huazon
shumë kollaj: merr muzikën dhe televizionin, shfaqjet dhe emisionet
investigative, në veçanti.
Një parathënie e një reviste që eksploronte literaturën
evropiane (shek. XIX) shkruante se Krishtërimi kishte ushtruar nje çensurë të
fortë ndaj literaturës dhe tashmë mbas rënies së kësaj çensure literatura do
transformohesh për shkak të lirisë. Liria jo në aspektet negative të saj por pozitive
që janë më shumë të lidhura me seksin.
Nëse në paragrafin e mësipërm zëvendësojmë fjalën literaturë me emisione (apo muzikë) atëherë piktura është e qartë. Një emision
tipik investigativ (shqiptar) ka 2 meshkuj dhe dy femra sporteliste. Meshkujt
flasin, bëjnë shaka, thumbojnë e raportojnë kurse sportelistet kërcejnë kur u thuhet dhe vetëm u buzëqeshin
kamerave apo dërgojnë puthje VIP-ave kur
u thuhet. Një gjëndje skandaloze për femrën shqiptare që kërkon emancipim! Ata
që drejtojnë show-n nuk e shohin show-n
e tyre si vendi i parë që duhet parë me sy kritik dhe investigativ.
Megjithatë, temat që diskutohen janë shumë relevante për
shoqërinë shqiptare: probleme që njerëz të varfër e të pafuqishëm nuk mund të
zgjidhin, afera korruptive në të gjitha instancat e institucione shtetërore,
dhe probleme të tjera. Raportimet investigative janë në përgjithësi ekselente,
një shërbim që në të vërtetë asnjë gazetë shqiptare – apo emision politik - nuk
e ka bërë gjatë kësaj kohe (shpjegim: që ka 2-3 gazetarë që kryejnë punë te tilla
nuk e vë në dyshim).
Zgjedhja e një modeli të tillë është domethënëse: një numër më
i madh shikuesish ngulet përpara televizorit në orarin e caktuar, përfshi këtu
gazetarë, shefa institucionesh apo politikanë. Emisione të tilla punojnë
pikërisht sepse të zgjidhësh një problem, sado të thjeshtë, duhen burime (dhe/apo
fuqi, që nuk është gjithmonë në terma
financiare). Shikuesit i ofrohet një skenë ku irracionaliteti takon ndjesitë e bukura (sensuale apo seksuale) – apo
takon argëtimin. Një problem paraqitet,
kërcehet dhe bëhet sparkata (që më vonë matet nga meshkujt), problemi
hulumtohet me tepër e pastaj zgjidhet - apo lihet i hapur për qeveritarët që
nuk e dinin se ekzistonte kjo gjë por e mësuan nga emisioni në fjalë – dhe mbyllet
përsëri me kërcim mbas fishkëllimës.
Mendoj ideja është (apo ka qënë) që të prezantohet realiteti
shqiptar duke qeshur (një ide e
vjetër e Horace). Ose e thënë shqip: ta marrim
me të qeshur. Por kjo ide, mendoj, (a) nuk do kërkonte sporteliste; dhe (b)
do duhesh që të dy meshkujt të flisnin më shumë (më saktë e bukur!) sesa flasin tashmë. Dikush që e sheh emisionin
me një sy kritik kupton shumë shpejt se gjithë-gjithë 30 fjalë mbizotërojnë
emisionin dhe fjalitë e konstruktuara janë për nxënës të klasës së dytë
fillore.
Për pamundësitë e mësipërme një ide tjetër mbizotron:
prezantimi i të vërtetës përmes argëtimit.
Këtu sportelistet seksi mbushin atë boshllëk (fjalësh!) shumë aktual në skenën
shqiptare. Emisionet (politike) ku të njëjtat fytyra (politikanë e analistë)
paraqiten janë një sfidë e vërtetë për tu ndjekur në dy aspekte: formati dhe
gjuha.
Tragjedia e drama e lashtë greke zgjidhte tema të njohura
mitike për publikun. Asgjë e re nuk pritesh. Ajo çfarë mbizotëronte ishte paraqitja
ekselente, elokuente dhe e pasur në gjuhë.
Nuk mendoj se mund të themi të njëjten gjë për realitetin
shqiptar. Gjërat dihen! Si t’i paraqesim? është pyetja dhe rezultati është
katastrofë. E para: (a) Rregull pyetjesh dhe pergjigjesh nuk ka e nuk vendoset
nga ai (ai sepse në përgjithësi janë
meshkuj) që drejton. Asgjë nuk diskutohet, pyetjet janë skandalozisht të dobëta
apo nuk kuptohen dhe përgatitja e pjesëmarrësve lë për të dëshiruar. (b) Sa për
gjuhën pyetja që duhet shtruar është: përse po jepet ky emision? Të raportojë? Diskutojë?
apo të dyja bashkë dhe edukojë
shikuesin.
Në tërësinë e tyre nëse
emisione të tilla tentojnë të paraqesin të vërtetën në një shoqëri të lirë (siç
edhe pretendohet) ato e lënë shikuesin më injorant, më të skllavëruar dhe
gjuhën shqipe që përdorin më të varfër.
* * *
Në një emision tjetër vetë Kryeministri u vesh si Plaku i Vitit
të Ri dhe bëri realitet dy dëshira që
vinin nga dy persona me histori tepër të trishtueshme.
Kjo skenë është kritike: aty politikani dhe votuesi takohen
lirshëm. Paraqitet një problem personal,
salla dhe shikuesit përmallohen, ndjesitë dhe trishtimet arrijnë kulme
Eskiliane, dhe si me magji (Santa Claus) problemi zgjidhet duke i kthyer kështu
personit, (sallës) e shikuesit ‘shpirtin’ në vënd me një psherëtime dhe
buzëqeshje shpëtuese.
Vini re sesi në njërën
skenë politikani (në përgjithësi) paraqitet si shpëtimtar personal i/e dikujt dhe në tjetrën skenë ai demaskohet (Stop, Fiks Fare etc.). Problemi është
i qartë: çfarë është personale të prek dhe të bën që të angazhohesh e veprosh;
Çfarë është statistike është e largët
dhe e vështirë për tu arritur. Të gjithë në sallë (përfshi dhe politikanin) që
dëgjojnë histori të tilla janë të gatshëm të japin qoftë edhe 2 cent për të
përmirësuar gjëndjen e personit në fjalë. Por të kontribojnë për përmirësimin e
spitaleve, qëndrave rehabilituese, punësim etj., ideja është që ajo ‘nuk është
puna ime.’
Çfarë ishte shokuese me zgjidhjen që politikani i bëri
problemit është pikërisht fakti që votuesit i hiqet zëri dhe trajtohet persëri si viktimë. Pyetje kritike në këtë rrethanë
nuk ngrihen.
Çdo fëmijë me të
meta ka nevojë për akses në institucione dhe jo vetëm ky/kjo. Çdo i ri/e re që
ka vullnet (të hekurt) për të ndryshuar gjëra, për të ndryshuar veten e
shoqërinë duhet stimuluar dhe jo vetëm ky
apo kjo. Të gjithë këta njerëz që kanë nevojë nuk mund të paraqiten në
emisione javore në Tiranë për tu parë
nga publiku që duartroket e psherëtin sikur një barrë tjetër iu hoq nga supi.
Problemet nuk zgjidhen në ekrane e show televizive në kryeqytet.
* * *
Emisione të tilla merren me atë punë që quhet (në shkencat
shoqërore) drejtësi shoqërore (lokale).
Me një fjalë ka njerëz që vuajnë nga padrejtësi (institucionale shtetërore) dhe
këto emisione shohin t’i nxjerrin sheshit këto padrejtësi dhe kështu, shpresa
është, që drejtësia të ndërhyjë. Tre pyetje shtroj:
1. Cili
institucion e përfaqëson drejtësine? Që nuk
duhet të jetë politikani kjo është e qartë. Por situata (apo problemi)
vazhdon të mos kuptohet nga shumë palë sidomos nga emisioni që promovon gjëra që supozohet të ngrejë si probleme.
2. Kur
zgjidhen çështje të tilla nga këto televizione cila është mënyra e zgjedhjes së çështjeve? (Meqë
televizionet janë private kam frikë se zgjidhen çështje që shtojnë numrin e
shikuesve.) Dhe meqë flasim për drejtësi, a nuk do ishte e drejtë që të ishte e
hapur dhe transparente mënyra e
zgjedhjes?
3. Kur
politikani ndërhyn drejtpërsëdrejti lekët e kujt përdor? Institucioni mendohet
të jetë asnjëanës sepse të gjithë njerëzit (qytetarët), taksapaguesit, kanë të
drejtë aksesi në institucione.
Për ta mbyllur, në një skenë (nga Offenbach) të La Belle Helene ëndërra e Helenës për të
pasur për vete Parisin bëhet realitet “nëpërmjet ëndrrës.” Ajo pyet priftin që
t’i dëgonte Parisin në ëndërr, kur ajo të flinte. “Është thjesht ëndërr,” ishte
një shprehje që përsëritesh shumë herë. Mbasi Helena bie në gjumë, Parisi hyn
me të vërtetë në dhomën e saj. Dëshira bëhet realitet thjesht nëpërmjet ëndrrës.
Spektatori e kupton shume mirë ironinë – “është thjesht një ëndërr” do të thotë
që në këtë botë hipokrizia dhe vetëmashtrimi janë prezente në të gjitha hallkat
e kësaj historie.
Në shoqërinë shqiptare dëshirat bëhen realitet
nëpërmjet Emisionit (Stop, Fiks, apo E
diela). Drejtësia jepet në emisione
televizive nga prezantues të botës së show-it në Tiranë. Të pakënaqurit thjesht duhet të thërrasin emrat e
emisioneve. Mjafton të raportosh problemin dhe
të kesh pak fat në perzgjedhje.
No comments:
Post a Comment