Sunday, January 28, 2018

Drejtësia shqiptare: një zgjedhje, një show, dhe një drejtësi


Ka disa gjëra që ekonomia (dhe shoqëria) shqiptare i huazon shumë kollaj: merr muzikën dhe televizionin, shfaqjet dhe emisionet investigative, në veçanti.
Një parathënie e një reviste që eksploronte literaturën evropiane (shek. XIX) shkruante se Krishtërimi kishte ushtruar nje çensurë të fortë ndaj literaturës dhe tashmë mbas rënies së kësaj çensure literatura do transformohesh për shkak të lirisë. Liria jo në aspektet negative të saj por pozitive që janë më shumë të lidhura me seksin.
Nëse në paragrafin e mësipërm zëvendësojmë fjalën literaturë me emisione (apo muzikë) atëherë piktura është e qartë. Një emision tipik investigativ (shqiptar) ka 2 meshkuj dhe dy femra sporteliste. Meshkujt flasin, bëjnë shaka, thumbojnë e raportojnë kurse sportelistet kërcejnë kur u thuhet dhe vetëm u buzëqeshin kamerave apo dërgojnë puthje VIP-ave kur u thuhet. Një gjëndje skandaloze për femrën shqiptare që kërkon emancipim! Ata që drejtojnë show-n nuk e shohin show-n e tyre si vendi i parë që duhet parë me sy kritik dhe investigativ.
Megjithatë, temat që diskutohen janë shumë relevante për shoqërinë shqiptare: probleme që njerëz të varfër e të pafuqishëm nuk mund të zgjidhin, afera korruptive në të gjitha instancat e institucione shtetërore, dhe probleme të tjera. Raportimet investigative janë në përgjithësi ekselente, një shërbim që në të vërtetë asnjë gazetë shqiptare – apo emision politik - nuk e ka bërë gjatë kësaj kohe (shpjegim: që ka 2-3 gazetarë që kryejnë punë te tilla nuk e vë në dyshim).
Zgjedhja e një modeli të tillë është domethënëse: një numër më i madh shikuesish ngulet përpara televizorit në orarin e caktuar, përfshi këtu gazetarë, shefa institucionesh apo politikanë. Emisione të tilla punojnë pikërisht sepse të zgjidhësh një problem, sado të thjeshtë, duhen burime (dhe/apo fuqi, që nuk është gjithmonë në terma financiare). Shikuesit i ofrohet një skenë ku irracionaliteti takon ndjesitë e bukura (sensuale apo seksuale) – apo takon argëtimin. Një problem paraqitet, kërcehet dhe bëhet sparkata (që më vonë matet nga meshkujt), problemi hulumtohet me tepër e pastaj zgjidhet - apo lihet i hapur për qeveritarët që nuk e dinin se ekzistonte kjo gjë por e mësuan nga emisioni në fjalë – dhe mbyllet përsëri me kërcim mbas fishkëllimës.
Mendoj ideja është (apo ka qënë) që të prezantohet realiteti shqiptar duke qeshur (një ide e vjetër e Horace). Ose e thënë shqip: ta marrim me të qeshur. Por kjo ide, mendoj, (a) nuk do kërkonte sporteliste; dhe (b) do duhesh që të dy meshkujt të flisnin më shumë (saktë e bukur!) sesa flasin tashmë. Dikush që e sheh emisionin me një sy kritik kupton shumë shpejt se gjithë-gjithë 30 fjalë mbizotërojnë emisionin dhe fjalitë e konstruktuara janë për nxënës të klasës së dytë fillore.
Për pamundësitë e mësipërme një ide tjetër mbizotron: prezantimi i të vërtetës përmes argëtimit. Këtu sportelistet seksi mbushin atë boshllëk (fjalësh!) shumë aktual në skenën shqiptare. Emisionet (politike) ku të njëjtat fytyra (politikanë e analistë) paraqiten janë një sfidë e vërtetë për tu ndjekur në dy aspekte: formati dhe gjuha.
Tragjedia e drama e lashtë greke zgjidhte tema të njohura mitike për publikun. Asgjë e re nuk pritesh. Ajo çfarë mbizotëronte ishte paraqitja ekselente, elokuente dhe e pasur në gjuhë.
Nuk mendoj se mund të themi të njëjten gjë për realitetin shqiptar. Gjërat dihen! Si t’i paraqesim? është pyetja dhe rezultati është katastrofë. E para: (a) Rregull pyetjesh dhe pergjigjesh nuk ka e nuk vendoset nga ai (ai sepse në përgjithësi janë meshkuj) që drejton. Asgjë nuk diskutohet, pyetjet janë skandalozisht të dobëta apo nuk kuptohen dhe përgatitja e pjesëmarrësve lë për të dëshiruar. (b) Sa për gjuhën pyetja që duhet shtruar është: përse po jepet ky emision? Të raportojë? Diskutojë? apo të dyja bashkë dhe edukojë shikuesin.
Në tërësinë e tyre nëse emisione të tilla tentojnë të paraqesin të vërtetën në një shoqëri të lirë (siç edhe pretendohet) ato e lënë shikuesin më injorant, më të skllavëruar dhe gjuhën shqipe që përdorin më të varfër.
*          *          *
Në një emision tjetër vetë Kryeministri u vesh si Plaku i Vitit të Ri dhe bëri realitet dy dëshira që vinin nga dy persona me histori tepër të trishtueshme.
Kjo skenë është kritike: aty politikani dhe votuesi takohen lirshëm. Paraqitet një problem personal, salla dhe shikuesit përmallohen, ndjesitë dhe trishtimet arrijnë kulme Eskiliane, dhe si me magji (Santa Claus) problemi zgjidhet duke i kthyer kështu personit, (sallës) e shikuesit  ‘shpirtin’ në vënd me një psherëtime dhe buzëqeshje shpëtuese.
Vini re sesi në njërën skenë politikani (në përgjithësi) paraqitet si shpëtimtar personal i/e dikujt dhe në tjetrën skenë ai demaskohet (Stop, Fiks Fare etc.). Problemi është i qartë: çfarë është personale të prek dhe të bën që të angazhohesh e veprosh; Çfarë është statistike është e largët dhe e vështirë për tu arritur. Të gjithë në sallë (përfshi dhe politikanin) që dëgjojnë histori të tilla janë të gatshëm të japin qoftë edhe 2 cent për të përmirësuar gjëndjen e personit në fjalë. Por të kontribojnë për përmirësimin e spitaleve, qëndrave rehabilituese, punësim etj., ideja është që ajo ‘nuk është puna ime.’
Çfarë ishte shokuese me zgjidhjen që politikani i bëri problemit është pikërisht fakti që votuesit i hiqet zëri dhe trajtohet persëri si viktimë. Pyetje kritike në këtë rrethanë nuk ngrihen.
Çdo fëmijë me të meta ka nevojë për akses në institucione dhe jo vetëm ky/kjo. Çdo i ri/e re që ka vullnet (të hekurt) për të ndryshuar gjëra, për të ndryshuar veten e shoqërinë duhet stimuluar dhe jo vetëm ky apo kjo. Të gjithë këta njerëz që kanë nevojë nuk mund të paraqiten në emisione javore në Tiranë për tu parë nga publiku që duartroket e psherëtin sikur një barrë tjetër iu hoq nga supi. Problemet nuk zgjidhen në ekrane e show televizive kryeqytet.
*          *          *
Emisione të tilla merren me atë punë që quhet (në shkencat shoqërore) drejtësi shoqërore (lokale). Me një fjalë ka njerëz që vuajnë nga padrejtësi (institucionale shtetërore) dhe këto emisione shohin t’i nxjerrin sheshit këto padrejtësi dhe kështu, shpresa është, që drejtësia të ndërhyjë. Tre pyetje shtroj:
1.     Cili institucion e përfaqëson drejtësine? Që nuk duhet të jetë politikani kjo është e qartë. Por situata (apo problemi) vazhdon të mos kuptohet nga shumë palë sidomos nga emisioni që promovon gjëra që supozohet të ngrejë si probleme.
2.     Kur zgjidhen çështje të tilla nga këto televizione cila është mënyra e zgjedhjes së çështjeve? (Meqë televizionet janë private kam frikë se zgjidhen çështje që shtojnë numrin e shikuesve.) Dhe meqë flasim për drejtësi, a nuk do ishte e drejtë që të ishte e hapur dhe transparente mënyra e zgjedhjes?
3.     Kur politikani ndërhyn drejtpërsëdrejti lekët e kujt përdor? Institucioni mendohet të jetë asnjëanës sepse të gjithë njerëzit (qytetarët), taksapaguesit, kanë të drejtë aksesi në institucione.
Për ta mbyllur, në një skenë (nga Offenbach) të La Belle Helene ëndërra e Helenës për të pasur për vete Parisin bëhet realitet “nëpërmjet ëndrrës.” Ajo pyet priftin që t’i dëgonte Parisin në ëndërr, kur ajo të flinte. “Është thjesht ëndërr,” ishte një shprehje që përsëritesh shumë herë. Mbasi Helena bie në gjumë, Parisi hyn me të vërtetë në dhomën e saj. Dëshira bëhet realitet thjesht nëpërmjet ëndrrës. Spektatori e kupton shume mirë ironinë – “është thjesht një ëndërr” do të thotë që në këtë botë hipokrizia dhe vetëmashtrimi janë prezente në të gjitha hallkat e kësaj historie.
Në shoqërinë shqiptare dëshirat bëhen realitet nëpërmjet Emisionit (Stop, Fiks, apo E diela). Drejtësia jepet emisione televizive nga prezantues të botës së show-it Tiranë. Të pakënaqurit thjesht duhet të thërrasin emrat e emisioneve. Mjafton të raportosh problemin dhe të kesh pak fat në perzgjedhje.