Friday, March 31, 2017

Prezantuesi shqiptar si mesues moral


 
Një teorist në Vendimarrje (Decision-Making) mori një ofertë pune dhe ishte në një dilemë: të vazhdonte aty ku ishte apo të shkonte tek ky vendi që iu ofrua. Një koleg i vetë i thotë: “Ç’po mendon kështu? Ti ke shkruajtur për këto gjëra kaq e kaq herë. Kalkulo ku të leverdis më shumë dhe shko.” “Oh,” i thotë teoricienti, “po kjo gjë është serioze.”
Po ta ndjekim me kujdes dialogun, është e qarte se ‘i dituri’ kur shkruan për të tjerë e vendos veten në një pozicion jashtë ngjarjes, d.m.th. ai nuk preket nga kushtet dhe është jashtë kontekstit. E njëjta situatë është me këshilltarët ekonomikë (tranzitologët) apo politikanë. Çfarëdo që të ndodhë ata nuk preken nga ndryshimet dhe e kanë një shpjegim për çdo gjë.
*       *       *
Në një emision (E Diela Shqiptare[1]) spikeri i drejtohet të ftuarës së tij dhe i thotë (pak a shumë në këto linja):
Tashmë që ju njohim paksa me mirë, që jeni kaq elokuente, e lexuar … si ka mundësi që keni marrë një vendim të gabuar vetëm para pak vitesh? Që do të thotë, t’i besoni Facebook-ut dhe në një kohë shumë të shkurtër të bëje këtë lidhje?
Për ata që se dinë situatën, e ftuara kishte njohur një person në FB, martuar e bërë me djalë dhe mbas disa viteve ishte ndarë nga i shoqi.
Emisione të tilla natyrisht sjellin dëgjues dhe të ardhura. Ajo që më shqetëson është konteti i pyetjeve të spikerit dhe bindja e plotë morale se ato që thoshte ishin të drejta. Shoh në emisione të tilla një gjëndje shpirtërore të shqiptarit që lë për të dëshiruar. Spikeri, si ai dialogu i mësipërm, e vendos veten jashtë situatës – një predikues moral – dhe në podiumin imagjinar kërkon shpjegime nga e ftuara, e jep (apo insinuon) versione të plota.
Ai është njeriu ‘i ditur’ që me diturinë që ka merr vendime për të ardhmen (të nesërmen) me një vendosmëri të hekurt. Nuk ka hapësirë për gabime. Ndiqeni: Si ka mundësi një njeri si ti (e lexuar etj.) të marrë vendim të gabuar? (Më shiko mua! sikur dëgjoj në sfond.) E ftuara ul kokën.
Ka pas dy sisteme – të dyja diktatoriale – që kan folur me një siguri 100%. Të flisje ndryshe nuk përfundoje mirë. Njërin e kemi pas jetuar disi, tjetrin e kemi me të lexuar. Dhe kjo tendencë sigurie e plotë la pasojat e veta sidomos tek klasa e ditur shqiptare që audiencat i ndjekin me një kërshëri fëmijnore.
*       *       *
Shkenca është një fushë që përparon në një formë induktive. Asgjë nuk është 100% e sigurtë. Gjërat janë të sigurta me probabilitet të bazuara në faktet që jepen në moment. Në një kohë tjetër gjërat ndryshojnë, teoritë ndryshojnë. Me një fjalë, e ardhmja nuk dihet. Projektohet, po; por jo me siguri.
Spikeri shqiptar (dhe të tjerët e emisioneve të tjera) nuk e kupton që e ardhmja nuk mund të dihet. Ai (apo ajo) nuk e kupton nocionin e lirisë.
Të jesh i lirë do të thotë të marrësh një vendim (për vedin) dhe përgjegjësitë e efekteve t’i mbash ti vetë. Liria presupozon pasigurinë. Siguria operon në një plan tjetër. Merr si shembull martesat e mëparshme me pleqëri. Ato ndodhnin në ambiente të vogla (fshati apo qyteza shqiptare) dhe ku shoqëria jonë ishte kaq e mbyllur. Martoheshin familjet jo njeri. Martesa ishte e sigurtë.
Sigurinë Perëndimit ia dha kisha (deri në një moment). Kur Zoti vdiq progresivisht njeri fitoi më shumë liri, d.m.th., pasiguri për veprimet e veta.
Spikeri shqiptar (dhe të ditur të tjerë) vjen nga bota Platonike e sigurisë së plotë. Bota njerëzore, siç e mendoj veda, është botë tjetër, është bota e Euripidit ku sot dikush është i lumtur dhe i ka të gjitha dhe të nesërmen më i vuajturi. Sepse shansi (apo fati siç i thotë populli) i ra atij/asaj.
Në botën e spikerit Dashuria është racionale, mund të matet e kthehet sa majtas e djathtas për tu peshuar. Nuk ka pse nxiton njeri. J. Kepler, astronomi gjigand, mbasi i vdiq gruaja e parë bëri një listë me 11 gra dhe i intervistoi për martesë. Mbas disa vitesh torture shumë gra u larguan dhe ai vazhdoi i pavendosur. Kepleri ngatërroi kekun me byrekun (siç i themi ne). Të llogarisësh matematikisht lëvizjet planetare është një gjë (keku, p.sh.), të llogarisësh sesi do sillet dikush – një njeri, pra – nesër është diçka tjetër (byrek). Të predikosh të parën është predikim par excellence. Të predikosh të sjelljet është degjenerim i fjalës predikim.
*       *       *
Dialogu midis spikerit dhe të ftuarës vazhdon: Vendimet duhet të merren mbasi ke konsultuar prindërit (mbase dhe fqinj e kushurinj). Nuk është më vendim individual të dashurosh, por kolektiv. Të gjithë duhet të kalkulojnë. Disa veta kanë më shumë informacion sesa ti i vetëm. Dhe më e rëndësishmja, faji s’të ngelet ty në fund, por të gjithë mbajnë nga një pjesë dhe jeta është e bukur; pak a shumë siç ishte më parë.     
Në një skeç të vjetër Çomes i vodhën lopën dhe komshinj e shokë që i erdhën ia vunë fajin 100% atij. “Pse s’fle me një sy hapur?” i thanë. “Po se dija o shokë,” bërtiste i varfëri. “Duhet ta kishe parashikuar,” vazhdon dialogu. Nuk ka hapsirë për justifikim. Ai duhet ta dinte qe do t’i vidhinin lopën. Këtu hajduti nuk dihet dhe faji i ngelet 100% personit.
Në rastin tonë platforma që i dha mundësinë dy personave të njiheshin dihet, dhe këtu spikeri shqiptar me një  mjeshtëri karakteristike të një predikuesi moral  kalon në botën e pasigurisë. Si i besove FB? pyet të ftuarën i habitur. Imagjinoni dy të rinj që takohen në një klub. Nëse mbas disa vitesh ata do ndaheshin (siç edhe disa ndahen) a do ishte normale që t’ia vinin fajin klubit apo plazhit ku u njohën?
Absurditetet vazhdojnë.  FB-ut, i kthyer kështu në një qënie, nuk i duhet besuar. Ai të gënjen dhe të çon në rrugë të gabuar. Po kujt t’i besojë njeri? Mbase Të Dielës Shqiptare!


[1] https://www.youtube.com/watch?v=bOM2EM8j2ow

No comments:

Post a Comment