Saturday, June 25, 2016

Fitorja e Kombëtares si orgji popullore


Shqipëria e humbur dhe ‘kombëtaria’ që fitoi; kështu e mendoj rastin e përfaqësimit të Shqipërisë në Europian-in e fundit. Mediat shqiptare të exaltuara deri në injorancë e idotësi raportonin ‘kuqezinjtë’ kudo si fitimtarë. Nuk fiton skuadra qe ikën, ajo është e humbur. Dhe ata që brohorasin për të humburën nuk janë fitues por humbës.
Një ndarje boshtore, për dikë arsyeton, vërehet në këtë situatë deri në keqardhje. Nga njëra anë një Shqipëri e varfër e cila nuk ofron asnjë prospekt për rininë e saj (apo për çdo qytetar të thjeshtë); vetë ‘kombëtaria’ shqiptare e provon këtë argument (të gjithë të ardhur nga jashtë) dhe rinia tifoze nw stadiumet e Francës që e shumta vinte nga vënde të tjera dhe jo nga Shqipëria. Një shqipatr i thjeshtë nuk mund të përballonte me qindra euro qëndrimin disaditor në një vënd si Franca: llogaritë po i lë t’i bëni vetë.
Nga ana tjetër shihje një tifozëri moderne ‘shqiptare’ të paprekur nga hallet shqiptare dhe pothuajse injorante. Do preferoja një ‘tifozeri’ shqiptare që ta braktiste ‘kombëtaren.’ Mbi ç’bazë? 
Arsyeja është e thjeshtë; çdo gjë që promovon përparimin e Shqipërisë nëpërmjet punësimit, hapjes së perspektivave duke luftuar këtë degjenerim politik që ka kapur çdo degë apo institucion duke përfshirë edhe sportin duhet përkrahur sidomos nga rinia e vendosur jashtë. E shoh fenomenin e fundit si një orgji popullore ku pasionet e momentit triumfojnë mbi arsyen; një harresë kombëtare si e dizenjuar dhe orkestruar për të brohoritur një diçka të paqënë. Kjo për më shumë vjen nga shqipëtaria e vendosur prej dekadash të tëra jashtë. Miliona u hodhën në blerje fanellash, flamurë, hoteleri e të tjera. Cili ishte impakti për ekonominë shqiptare?
Sikur të mendohet dhe reflektohet një moment, nga këta ‘patriotë,’ për cilin vend po brohorasin? Sikur të kthejnë kokën pas dhe të shohin se një vend – i ashtuquajtur, vendi i tyre, - nuk ofron asnjë perspektivë rinisë së vet që rri aty me sytë hapur dhe që vetëm në stacione private mund të shihnin ndeshjet e ‘kombëtares.’
Për ta përfunduar dhe kurorëzuar këtë orgji popullore ke edhe qeverinë shqiptare në krye të zhvillimeve që promovon futbollin e huaj – jo shqiptar sepse ‘kombëtaria’ është e huaj – me 1 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Thënia: “Injoranca e ndërthurur me fuqinë politike është armiku më i fortë i drejtësisë,” do provohej shume kollaj edhe në Shqipëri dhe jo vetëm në vënde perëndimore.