Tuesday, March 10, 2015

Dy fjalë mbi Kanunin dhe bullshitologjinë[1] e bullshitologëve

Prof. Tarifa e fillon artikullin[2] e vet mbi simbolikën e gjakut me thëniet e disa hulumtuesve te njohur (Durham, Durkheim, Kadare) dhe argumenton me ta se çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit shqiptar është e lidhur me gjakun. “Gjaku,” pohon Prof. Tarifa, “ishte elementi qëndror i kozmogonisë së malësorit” ose e thënë në shqip: çdo gjë në Kanun dhe jetën e malësorit është ndërtuar duke pasur si parim bazë gjakun, apo gjakmarrjen. E paraqitur si pikturë e thjeshtë: Baza është gjakmarrja; çdo institucion tjetër ngrihet mbi të dhe sipas kërkesave të gjakmarrjes. (Një shëmbëllture Marksiste, në të vërtetë; ekonomia baza dhe çdo gjë tjetër – institucion, apo superstrukturë siç e quajti ai – ngrihet mbi të.)
Kjo është bullshitologji e kullluar. Nuk është aspak e çuditshme se pse shkencat sociale vuajnë nga efekti i bullshitologjisë. Këto shkenca vuajnë tmerësisht dhe agonizojnë për të kthyer çdo fenomen apo dukuri shoqërore në ekuacione të thjeshta Newton-iane. Të kuptosh një fenomen, thotë Helmholtz, duhet ta kthesh atë në ligje Newton-iane; të tipit, p.sh., X -> Y (Nëse X, atëherë Y).

Funksionalizmi si jo-shpjegues

Disa pyetje kërkojnë shpjegime; kur pyesim se “pse” diçka (institucion social, fenomen etj.) është në ate formë që është, përgjigja kërkon domosdoshmërisht një shpjegim të tippit “sepse.” Dy probleme na paraqiten: (1) përshkrimi i saktë i fenomenit (që po e anashkalojmë) dhe (2) arsyeja se pse është ashtu siç paraqitet.
Sipas teorise së gjakut ne mund të pyesim, p.sh., Pse ekziston institucioni i Nderës (Libri VIII)? Përgjigja, siç e kuptoj unë, është diçka e tillë: Sepse shërben për të ruajtur nderin (dhe gjakun). Një argument i reduktuar në absurditet (reductio ad absurdum). Dhe absurditeti u nevojitet shkrimtarëve dhe (disa) sociologëve për ta bërë argumentin që të duket i thellë; njerëzve u pëlqejnë argumentet e thella që nuk i kuptojnë.
Në këtë rast efekti i fenomenit paraqitet si shpjegim (shkak) për fenomenin – një argument që sfidon edhe ligjet e Logjikës. Efekti në Logjikë vjen mbas shkakut dhe në rastin e mësipërm nuk kuptohet se kush është “shkaku” e kush është “efekti.”
Disa gjëra që janë përpara syve nuk besohen sepse shkencëtarët, siç edhe njerëzit e thjeshtë, kanë besimet e tyre. Harta e botës, p.sh., tregonte qartë se brigjet e Europës dhe Afrikës përshtateshin në mënyrë perfekte me brigjet e Amerikave (të Jugut dhe Veriut); dhe përsëri gjeofizicistët nuk mund ta pranonin sepse nuk ekzistonte një teori e lëvizjes kontinentale (deri në 1960).
At Sh. Gjeçov dinte më mirë; vepra e tij e konfirmon. Gjaku merret sepse mban nderën dhe jo anasjelltas. Me fjalë të tjera, gjaku donte gjak për mbajtjen e nderës dhe jo për mbajtjen e gjakut. Kapitulli mbi gjakun gjendet tek (brënda) Libri VIII dhe i shërben Nderës. Akili në Iliad-ën e Homerit kërkon hakmarrje (gjakmarrje!) ndaj Agamemnonit sepse ky i fundit e feu – i preku nderën - duke i marrë atë që i takonte një luftëtari në ndarjen e plaçkës. Mujit në epikën shqiptare gjithashtu i preket ndera kur Paji Harambash keqtrajton një orë malit. Në të dyja rastet nuk u derdh gjak, por gjak u kërkua. Pse? Për te ruajtur nderën. Pa nderën, një burrë konsiderohet i vdekur.
Gjithashtu Libri i X ku flitet për ndëshkimet ka të dhëna mbi gjakun por nuk është themel i Kanunit dhe jetës së malësorit. Ndëshkimi kapital i është lënë individit (burrit) në Kanun sepse ai është burrë i ndershëm (A je burrë?). Në shtetin modern, shteti ka fuqi monopoli mbi ndëshkimin; individi, siç thoshte Hume, është horr e batakçi (knave) – institucionet shtetërore (ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqsori) janë ndërtuar mbi këtë parim. Në Kanun njeriu është i ndershëm – i mirë. Ekzekutivi mungon (për arsye historike etj.) dhe individi është përgjegjës për aktet dhe aktivitetin e tij. (Padre Valentini dhe Malcolm i cili mbështetet në veprën e tij e kanë kuptuar Kanunin shumë herë më mirë; ata japin katër parime bazë mi të cilat Kanuni mbështetet. Nuk është studim i plotë por shumë më e qartë se studimet shqipatre.)
Në modernizëm aparate të tëra shtetërore ingranohen për gjetjen e vrasësit, dëshmitarëve etj. (sa fonde të taksapaguesve shkojnë në këto drejtime? Sa korrupsion ka me pagesa e favorizma?); vrasësi sipas Kanunit dihej kush ishte (agjent dhe prokuror ishin një). Kur ekzekutivi ekzistonte (si p.sh., në luftën për mbrojtjen e trojve kunër Malajzezve) gjaksia ndalohej rreptësisht (shih Fishtën, Lahuta).

Dy detyra të ndryshme

Kadare me veprën Prill i Thyer kryen të njëjtin gabim; ai e redukton Kanunin në një Kushtetutë (institucion) dhe përsëri kjo kushtetutë ngrihet mbi simbolikën e gjakut. Në vazhdimësi, Kadare e kthen mikpritjen në një teori moderne utilitariane - mikpritja është një shpërblim për jetën e mundishme të malësorit, një lloj pushimi e parajse këtu në tokë. Kanuni ishte mënyre jetese, jo kushtetutë; e sanksionuar nga populli dhe jo e dizenjuar nga elita që shkruajnë kushtetuta. Institucioni i mikpritjes nuk është për të përfituar një kënaqesi dhe për tu nderuar si gjysëm-zot për një natë (kjo është ide mikro-borgjeze do thoshte Marksi); mikpritja (për të përmendur vetëm disa gjëra) lidh fise dhe inicion marrëdhënie (ekonomike e të tjera), bashkon në rast rreziku, dhe organizon – mikpritja i bën shqiptarët kudo që janë të përgjigjen se kanë një veçori që karakterizon shqiptarin që është të nderojë mikun etj.
Detyra e shkrimtarit është të shesë sa më shumë libra (dhe fitojë ndonjë çmim); por ajo e hulumtuesit, para së gjithash, të japë dhe ofrojë qartësi. Dhe qartësia kërkon një mendim kritik i gjërave që janë thënë e thuhen. J. Wilkes ankohet në librin e tij The Illyrians se autorët e vjetër i kishin lënë mbas dore Ilirët duke i raportuar vetëm nëpër shënime në fund të faqeve dhe ai do nxjerrë në dritë historinë e vërtetë të tyre; kur fillon dhe lexon librin e tij Ilirët zhyten më thellë në obskurantizëm. Shkrimtarët dhe hulumtuesit shqiptarë, kam frikë se, kanë të njëjtat faje. Duke dashur të tregojnë diçka ndryshe më shumë paqartësira sjellin me veprat e tyre, argumente jo-llogjike dhe mungese mendimi kritik. Një parim i thjeshtë (Wittgenstein): Nëse nuk e di dicka më mirë është të heshtësh. Grekët e lashtë e praktikonin (shih Sokratin që rrinte me orë të tëra pa folur duke menduar). 

Kanuni kundra Socializmit

Prof. Tarifa argumenton se socializmi triumfoi kundra “njeriut të Kanunit” (si kundrapërgjigje ndaj Nebi Bardhoshit; veprën e të cilit nuk e kam lexuar dhe argumentat e tij nuk i di). Unë do argumentoja, me Zizek, dhe do thosha se jam më shumë i shqetësuar për ditën e nesërme (the next day) – d.m.th., mbas atij revolucioni socialist që shëndërroi Shqipërinë nga agrare në industrialo-agrare, jam i shqetësuar për këto 25 (dhe sa të tjera që do kalojnë) vjet që Shqipëria u shëndërrua përsëri në një vënd agrar. Trashëgimia socialiste – për atë që Prof. Tarifa nuk flet – ka qënë dhe ngelet devastuese. Ky shpërfytyrim erdhi nga njeriu i përparuar i realizmit socialist (më lejoni të prezantoj një kategori të re analitike, njeriu i përparuar fushor) që edhe sot e kësaj dite mundohet të racionalizojë dhe japë pros (të mirat) dhe cons (këqijat) të atij sistemi.
Prandaj, për ta përfunduar, Kanuni ka triumfuar (edhe pse idealisht) dhe parimet e tij gjejnë aplikim dhe në ditët e sotshme. Për të përmendur vetëm disa, Paprekshmëria e pronës private dhe asaj kolektive ngelen për tu admiruar.
Ekonomia e tregut thuhet se nuk punon kur nuk ka të drejta mbi pronën private; gjithashtu besueshmëria është faktor  determinues në ekonominë e tregut pasi ul kostot e tranzakcionit – rol të cilin e luante besa (përveç roleve të tjera). Prona dhe pasuria kolektive shqiptare e përvetsuar për interesa vetiake gjatë kohës së degjenerimit demokratik kurrë nuk do lejohesh nga ligjet kanunore.



[1] E adoptoj këtë fjalë nga J. Elster.
[2] Fatos Tarifa “Simbolika e gjakut, kujtesa kolektive, dhe e kaluara si ‘invadim’ i së tashmes.” Postuar më: 28 Shkurt 2015. http://www.mapo.al/2015/02/simbolika-e-gjakut-kujtesa-kolektive-dhe-e-kaluara-si-invadim-i-se-tashmes/