Thursday, April 23, 2015

Rilindja: Bagëti e Bujqësi

  1. Kur dikush kalon një eksperience të jashtëzakonshme ne dëgjojmë që të thuhet: “Sikur u rilinda përsëri!” Kjo që thuhet bën sens - megjithëse metaforikisht vetëm! - sepse personi në fjalë ka lindur njëherë (dhe këtë e dimë meqë flasim me një person dhe jo fantazmë); e njëta gjë nuk mund të thuhet për Rilindjen socialiste. Rilindja është në këtë sens një gjë boshe, pa kontent. Do të thotë që edhe forma i mungon, nuk mund të punosh mbi një gjë boshe (si p.sh., Rilindja) dhe të thuash që e ke kthyer në një produkt (si p.sh., zhvillimi i Shqipërisë). Nuk vjen gjë nga asgjëja (Creatio ex nihilo) përveç lekut që krijon Banka Qëndrore. 
  2. Kur një biznesmen kërkon të blejë një kompani gjëja e parë është vleresimi i kompanisë nëse ka fuqi aktuale prodhuese (çfarëdo qoftë ajo). Kur pushteti u mor nga socialistët, kompania shqiptare vlente sa borxhi i vet. Ekonomia ishte në një gjëndje të mjerueshme. (Analogjia që bëj është jo e rregullt sepse shteti nuk mund të krahasohet me kompani biznesi. Por në terma të përgjithëshme ideja qëndron.) Njerëzit nga mosdija flasin gjithmonë për potencial duke thënë p.sh.: shiko sa djem të rinj e të reja ka që janë të shkolluar; shiko sa burime ka Shqipëria etj., gjithmonë me tendencën që një potencial ka mundësinë të aktualizohet për më mirë. Mësim: një potencial është e vërtetë që mund të aktualizohet per mire me kushtin që rrethanat të jenë të favorshme por një potencial mund të aktualizohet edhe për më keq. Shih rastin e zhvillimit të Shqipërisë!
  3. Kur demokratët ia vënë fajin socialistëve për këtë gjëndje ata pa ditur ia vënë fajin vetes sepse gjatë 25 vjetëve kanë dominuar shtetin dhe politikat e zhvillimit, ose më mirë t’i quajmë jo-politika të jo-zhvillimit. Brënda 2 muajve kemi dëgjuar palën kosovare dhe atë shqiptare t’ju luten shqiptarëve të mos largohen. Hipokrizia është e dukshme por më në fund kemi një zhvillim mendimi dhe reflektimi: nuk mund të vazhdohet më me vjedhje sepse po ikën të gjithë asgje nuk ngelet për tu vjedhur! Një parrullë mësimi për zgjedhje do të ishtë (drejtuar politikanëve): “Silluni mirë se për ndryshe ikëm!” Për të sjellë përsëri analogjinë me biznesin, nëse nuk na pëlqen një produkt ne nuk e blejmë dhe shkojmë diku tjetër (emigrojmë diku tjetër!). Topi është kështu në fushë të politikanit; ai/ajo duhet t’ju japë argumente shqiptarëve se përse nuk duhet ta lënë Shqipërinë.
  4. Alternativa e zhvillimit të Shqipërisë nuk mund të jetë e shkëputur nga zhvillimet botërore (dhe Europiane). Greqia që pati guximin të nxirrte një alternativë tjetër po e kupton shkallën e vështirësisë.  Greqia nuk ka bankë të vetën që të mund të prodhojë para (Euro) nga asgjëja, banka qëndrore është ajo e Bashkimit Europian (e cila ndodhet ne Frankfurt). Shqipëria kishte një mundësi apo alternativë zhvillimi direkt mbas ndryshimit të sistemit që e humbi. Mundësia ishte potenciale. Pse? Imagjino dy persona, njëri/a biznesmen dhe tjetri/a pa eksperience, pa shkollim, i vafër (mbase) etj. Nëse të dyve u jepet një shans për biznes (tregëti etj.) personi i parë është më mirë i pozicionuar për ta marrë hapin (dhe përqafojë shansin) sesa i dyti. Për të dytin shansi i dhënë zëre se nuk ekziston. I njëjti fenomen ndodhi me Shqipërinë. Niveli shumë i ulët i burimeve njerëzore, mungesa e elitave intelektuale (një e keqe historike kjo) dhe infrastrukturës bënë që ne të mos ishim në gjëndje ta kuptonim atë mundësi (shans) si të tillë.
  5. Një alternativë zhvillimi, kështu të paktën flitet nga qeveritarë, është zhvillimi i bujqësisë. Çfarë nuk kuptohet është: nuk ka zhvillim bujqësor pa zhvillim industrial. Ose e paraqitur matematikisht: Industri -> Bujqësi. Qytezat shqiptare u formuan prej zhvillimeve industriale – fshatari (apo rinia) lë tokën dhe kërkon jetë më të kënaqshme në qytet (si krah i lirë i punës). Popullsia fshatare pakësohet, Disa i shesin tokat, mjete pune (d.m.th., traktore) kërkohen që të zëvendësojnë krahët e njerzve etj. etj.
  6. Është në sensin e pikës (5) që Rilindja socialiste i ngjason Rilindjes së Naim Frashërit kaq bukur e shkruajtur në Bagëti e Bujqësi. Një notë nga Rilindasit Europianë dhe specifikisht Sandor Petőfi do ishte për tu admiruar: nuk ka zhvillim dhe progres pa shtruar hekurudha, shkruante ai nw mes te shek. IX (me Bagëti e Bujqesi do ngelemi në këmbë të gjithë, dhe në këmbë njeriu lodhet shpejt). “Po ku ta gjejmë hekurin?” e pyesin Petofi-n e famshëm; “nga zinxhirët dhe zgjedha rreth qafës,” ishte përgjigja. Një përgjigje metaforike por ideja është e qartë; asnjë kilometër hekurudhë nuk është shtruar në Shqipërinë demokratike. Në planin e zhvillimit të Rilindjes zhvillimi industrial nuk shihej gjëkundi; vëndet strategjike të partneritetit ngelen Itali dhe Greqi, vënde nga të cilat nuk mund të marrësh (apo përfitosh) tashmë asgjë përveç se si të “hash suflaqi” dhe të “vishesh me Gucci.” Zhvillimi industrial i Kinës është prioritet strategjik; elita politike në Kinë janë inxhiniera. Elita politike në Shqipëri janë aktorë e poetë, mjek e të rinj (apo të reja) pa punuar asnjë ditë në një profesion etj.
  7. E keqja pastaj vazhdon kur kritikat jepen pastaj përsëri nga vetë poetët dhe artistët elitarë. Një tragji-komedi e luajtur në kohë reale. Një komedi nga Bashkimi Sovjetik: treni ndalon rrugës dhe Stalini urdhëron që makinisti të fshikullohej dhe dënohej. Mbas Stalinit, Krushevi urdhëroi që makinistin ta riabilitonin, por treni përsëri nuk lëvizte. Brezhnievi dha një ide tjetër: Le të pretendojmë se treni po lëviz. Pretendimi mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa ana materiale mbështet ideologjinë në fjalë.