Imagjino
një situatë të tillë: është ora 3 e natës dhe unë ngre telefonin e raportoj në
numrin përkatës Korrupsionin. I them
personit nga ana tjetër: “pashë Korrupsionin
që po kalonte nga ana tjetër e Lanës; prandaj njofto të lutem organet
kompetente që ta arrestojnë.” Personi(a) nga ana tjetër e linjës natyrisht që
do më mbyllte telefonin dhe do qeshte me shoqërinë e të tjerë për rastin në
fjalë.
Shëmbulli
i mësipërm paraqet thjesht mënyrën sesi flitet për Korrupsionin. Ai tashmë është personalizuar dhe i është dhënë
individualitet – si një zot i mitologjisë. Ai gjendet kudo – si Zoti i
Thashethemeve të Virgil-it që fluturonte gjithandej kur dicka ndodhte dhe përhapte
“të rejat.”
Korrupsioni është i plotfuqishëm, dhe ne duhet ta luftojmë, ta mundim sepse në gjithë Europën vetëm Shqipërinë ka zaptuar. Policia e shtetit dhe institucione të tjera janë përgatitur që nëse ndeshen me të ta luftojnë dhe mundin atë – luftë frontale e hapur i është shpallur; por ai është dinak e nuk shfaqet. Fshehurazi punon duke perdorur terrenin dhe çdo gjë që ka në dorë. Ai ka ushtrinë e tij – njerëz (por edhe kafshë mbase!) që i rekruton gjatë operacioneve që kryen.
* * *
Degjenerimi i gjuhës sjell degjenerimin e mendimit dhe shprehjes së mendimit; natyrisht dhe ndërtimin e realitetit në shoqëri e politikë (dhe sektorin e katërt të gazetarisë). Bauer e transformoi Dashurinë në një Zojë (Zot), thotë Fromm (To Have or to Be), dhe e paraqet si mizore sepse donte të zotëronte njeriun në tërësi. Marx-i i kundrapërgjigjet se duke transformuar njeriun e dashuruar në njeriun e Dashurisë ai (Bauer) e krijon, apo më mirë të themi e ndërton, Dashurinë si një qënie të pavarur nga njeriu. Kështu edhe Korrupsioni në Shqipëri është një qënie e pavarur që ka në zotërim gjithë shqiptarët e Shqipërinë si pronë private të tijën. Lufta kundër Korrupsionit në Shqipëri është luftë kundër një Zoti gjakatar e mizor që nuk lejon ecjen përpara dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Në lidhje me marrëdhëniet korruptive (dhe jo korrupsionin!) pa analizuar marrëdhëniet e fuqisë dhe vendim-marrjes është e kotë dhe nuk bën kuptim të flitet për “luftë kundër Korrupsionit.” Lufta kundër Korrupsionit nuk është gjë tjetër vecse luftë kundër marrëdhënieve korruptive (njerëzore) – marrëdhënie këto qoftë midis qytetarëve dhe administratave publike apo edhe vetë midis qytetarëve (e fshatarëve). Marrëdhëniet nuk janë objekte, nuk objektivizohen, dhe kanë të bëjnë me vendim-marrjen dhe pozicione të fuqisë – fuqia si koncept marrëdhëniesh përsëri (e gjendur p.sh., tek Foucault) dhe jo si një objekt që zotërohet nga dikush.
Vendim-marrja si proçes korruptiv
Një vendim-marrje ka ndikim (të drejtpërdrejtë apo dhe dytësor) në interesa që preken – disa humbin e disa fitojnë. Por jo çdo vendim është i kësaj natyre sepse duhet parë edhe efekti në lidhje me kohën (afat shkurtër, mesëm, apo afat gjatë). Por në lidhje me atë që po diskutojmë një vendim merret (a) individualisht si p.sh., një polic rrugor kur vendos të të vëjë gjobë dhe e tërheq vendimin kur stimulohet me lekë nën dorë; (b) në grup si p.sh., kur këshilli bashkiak vendos mbi një politikë të caktuar për zhvillimin e një projekti publik apo kur fshatarët në një komunë vendosin mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta; por edhe (c) nga lart (presupozimi është nga qëndra).
Në rastin e parë (a) personi mund të mos bashkëpunojë me policin dhe vendosë për të marrë gjobën; por siç shihet nga tabela të dy duhet të bien dakort për tranzaksionin dhe njëri të japë e tjetri t’i marrë lekët. Ky rast është më i lehti për tu kontrolluar dhe ndaluar. Qytetarë të thjeshtë mund të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe ‘luajnë rolin’ e thjeshtë të qytetarit ndërkohë që monitorojnë (në Amerikë këta quhen “blerës misteriozë”; në Gjermani kemi një praktikë interesante ku bosi i një firme luan rolin e një të sapo-punësuari dhe punon për pak kohë me ‘punëtorët e thjeshtë,’ etj.). Ose gjoba mund të ketë një afat disa ditor ku personi mund ta hedhë në gjyq vendimin (në Kanada e Amerikë kjo është eksperincë normale).
|
|
Qyetari
|
||
|
|
Merr gjobë
|
Jep lekë
|
|
Polici
|
Vë gjobë
|
Gjobë[1]
|
|
|
Kërkon lekë
|
|
Lekë nën dorë
|
||
Vendimet
në rastin e dytë (b) janë më të vështira për tu prezantuar në tabela por përsëri
kemi interesa që preken. Shpeshherë dëgjojmë që grupet e interesave u morën
parasysh; që u diskutua një problem përpara se të vendosesh dhe pastaj u vendos
një rrjedh e caktuar siç ishte rasti i ndarjes territorjale. Por, në një shumicë
rastesh vendimet janë marrë paraprakisht më përpara në mënyrë informale dhe formalitete të tilla janë,
siç i themi asaj shprehjeje, “sa për sy e faqe.” Nuk ndodh vetëm në Shqipëri.
Kur
Danimarka miratoi Planin mbi Zhvillimin Rajonal pyetja ishte nëse zhvillimi
duhej inkurajuar në qëndrat urbane apo nëse duhej decentralizuar dhe nëse me
shumë përparësi u duhej dhënë qytezave të vogla. Puna kërkimore që u ndërmor
mori parasysh pluset dhe minuset. Disa të dhëna që u morën nga punë të tjera kërkimore
si p.sh., në Angli, gjithashtu u inkorporuan. Mirëpo kur projekti iu dha
ministrive përkatëse çdo gjë që kishte të bënte me decentralizimin u hoq (dhe i
vihesh pikëpyetje). Ishte e qartë se vendimi ishte marrë informalisht më përpara
(Flyvbjerg, Making Social Science Matter).
Për
këtë rast (b) monitorimi dhe kontrolli është më i vështirë; por jo i pamundur.
Mediat duhet të luajnë një rol më të madh; dokumentet duhet të lihen të hapura
për tu konspektuar – transparente; mbledhjet etj. duhen të bëhen me dyer të
hapura dhe inkurajohet pjesëmarrja. Intelektualët që kaq shumë kanë munguar në
debate duhet të shfaqen e debatojnë – qytetarët e thjeshtë gjithashtu që preken
drejtpërsëdrejti nga vendimmarrje të tilla. Por padashur (vini re!) përsëri
biem në kurthin e mëposhtëm (gjërat ‘duhet të jenë kështu’ ‘qytetarët duhet të…’
etj.). Prandaj nuk mund të ndahet agjenti
nga modeli që ngrihet. Nuk mund të
pritet nga qytetarët të bëjnë disa gjëra ‘në këtë formë apo në tjetrën’ pa u
rritur natyrshëm ndërgjegja shoqërore, e cila nuk arrihet duke folur për të (apo duke reflektuar
sepse reflektimi presupozon përsëri diçka
për të reflektuar) por njeriu duke punuar dhe luftuar, duke marrë e dhënë me të
tjerë e duke ndërtuar kupton më shumë e kërkon më shumë nga vetja e të tjerë.
Vendimet
nga lart (apo të centralizuara) janë më problematiket. Kur dikush kërkon
shpjegim se pse një diçka është dhe punon ashtu siç është, shpjegimi është që kështu u vendos nga lart. Këtu ndodh
fenomeni i de-personalizimit (e kundërta e asaj çfarë diskutuam më lart për Korrupsionin).
P.sh. ne themi “X mori Y vendim.” Por në rastin tonë, kur dikush pyet “Kush e
mori vendimin Y?” përgjigja është: “Y u mor nga lart.” Përgjegjesia nuk i
ngelet askujt për vendime të tilla dhe çdokush është në një pozicion të
justifikuar: “nuk kisha çfarë të bëja; urdhri erdhi nga lart.” Këtu zgjedhja
personale duket sikur nuk ekziston,
ose me mirë të themi personi në fjalë ka vetëm një zgjedhje, atë që është
vendosur “nga lart.”
Centralizim apo Decentralizim?
Flitet
që në Shqipëri mungojnë proceset demokratike dhe duhet inkurajuar kontributi i
mendimit demokratik në sferën publike. Por duke thënë p.sh., “Njerëzit duhet të..”
“qytetarët duhet të ndërgjegjsohen që …” etj., mbeten fjalë boshe dhe praktika
në vetvete korruptive pa marrë parasysh “fuqinë
e vendimmarrjes.” Shqipëria deri vone
ka qënë e decentralizuar – centralizimi ka qënë projekti më shkatërrues për
Shqipërinë.
Decentralizimi
e fuqizon qytetari(e)n dhe fshatari(e)n të marrë pjesë në vendimmarrje – sepse
aty ai/ajo preket drejtpërdrejt nga vendimi. Jo se në vendime të centralizuara
ai nuk preket, por kur angazhohet drejtpërdrejt në procese të tilla ai zhvillon
aftësitë, individualizmin dhe arsyetimin, mbron lirinë apo kërkon llogari në vënd
që të bërtasë nëpër kafene “shteti, shteti” si një i parritur që shikon nga
prindi i vet në çdo ngjarje. Centralizimi i heq lirinë e pjesëmarrjes qytetarit
dhe korrupton – çdo gjë kthehet pastaj në vendim partizanësh dhe faji i
vendimit gjithmonë nuk i ngelet askujt.
Kur
flas për decentralizëm, flas per raste si Zvicra, Gjermania apo vëndet
Skandinave por edhe Kina e vënde të tjera në zhvillim. Një shprehje e vjetër
kineze thotë: “Perandori është shumë larg.” Planet e zhvillimit në Kinë janë
lokale – qeveritë lokale kanë një interes të drejtpërdrejtë në tërheqjen e
bizneseve sepse edhe shtytja nga qeveria qëndrore ka qënë për “vetë-zhvillim”
d.m.th., zhvillim lokal nga vetë lokalët. Shumica e taksave në Kinë ngelen në
lokalitete. Qeveritë lokale konkurrojnë me njëra tjetrën për tërheqjen e
bizneseve dhe trurit (fuqisë punëtore të kualifikuar). Natyrisht që qeveria qëndrore
ka rolin e saj por është më shumë si ‘mundësi e fundit’ e balancuese dhe jo
primare.
Në
Gjermani qytezat kanë përparësi zhvillimi – në to gjen qëndra kërkimore dhe
universitete që gjallërojnë jetën lokale dhe fuqizojnë ekonomitë lokale. Dhe përkrah
tyre, biznese të mëdha e mesatare të cilat tërheqin fuqinë punëtore nga këto
lokalitete.
Problemet shoqërore mund të zgjidhen në dy mënyra: nga poshtë ose nga lart.
Nga lart ndodh ajo që quhet inxhinieri
shoqërore (socializmi ishte shembulli tipik); kemi ata që quhen teknicientë
e specialistëve të cilët veprojnë mbi shoqërinë si një orëndreqës mbi orën.
Shoqëria nënkuptohet si mekanizëm ku edhe ndërhyrjet janë në formë lineare: A
=> B. Po të analizosh ngjarje, fenomene e analiza të ndryshme do vësh re
shumë shpejt se mendohen dhe shqyrtohen në forma lineare pa marrë parasysh që
shoqëria punon në formë organike dhe ka gjëra që nuk dihen – ka asimetri
njohurish. Me një fjalë fenomenet shoqërore nuk janë dhe nuk duhen konsideruar
në formë mekanike.
Zgjidhja
nga poshtë i eleminon këto linearitete; fshatarët e dinë që duhen pastruar
kanalet e mirëmbajtur për të shtuar prodhimin. Një lagje qyteti e di se çfarë
nevojitet e mungon. Specialistët punojnë dhe jetojnë në lokalitete në zgjidhjet
nga poshtë – ndryshe nga ata që punësohen nga qëndra dhe duan të punojnë për qëndrën
(sic ndodh në rastin e zgjidhjes nga lart) e nuk kanë asnjë lidhje me ato cfarë
ndodhin më vonë, me një fjalë nuk kanë interesa në ato cfarë ndodhin në
lokalitete. Kjo zgjidhje nga poshtë zgjidh edhe punësimet korruptive të lidhura
me qëndrën. Të gjithë duan të punojnë për qëndrën (Tiranë) andej nga vjen edhe
vendimi. Natyrisht, përmasat korruptive janë më të thella e të mëdha; dhe
firmat piramidale (biznese të mëdha e kam fjalën) mjelin kontratat e majme dhe
në terma të zhvillimit ngelemi në vënd numëro me Korrupsionin si mik shtëpie.
Komunat
dhe bashkitë në rastin e dytë fuqizohen dhe nuk ka rëndësi se kujt partie i përkasin
– ato duhet të punojnë që të mbijetojnë.
Sytë nga qielli (Tirana) drejtohen tashmë nga vetvetja; por gjithashtu kjo
situatë presupozon decentralizim të vendim marrjes në bashki (p.sh., libraritë
të jenë ente më vete dhe jo të presin për firmën e kryetarit edhe për një libër
– një situatë absurde) përndryshe pashallarë bashkish do mbijnë (si këta të
sotshmit). Qëndra ka shumë probleme dhe nuk mund të merret me çdo gjë. Të presësh
nga qëndra është të justifikosh Korrupsionin,
e madje bëhesh edhe vetë pjesë e Korrupsionit.
[1] Këtu kemi një asimetri; polici
kur të vë gjobën nuk të pyet nëse e pranon.
Dhe pranimi i gjobës nuk varet nga ty – ti nuk ke zgjedhje tjetër veçse ta
marrësh.
No comments:
Post a Comment