Tuesday, January 7, 2014

Shqiptari ne 'hapesire' dhe 'kohe'

Ekonomistët dhe psikologet ne paradigmat e tyre shpesh herë i drejtohen racionalizmit (apo atij te kufizuar) ne lidhje me sjelljet ekonomike dhe shoqerore. Një pyetje e thjeshte si: cili është vëndi im në hapësirë merret si e qënë. Ky dimension është prekur paksa nga kulturalistët (individualizmi dhe kollektivizmi) por zhvillimet e tyre devijojne nga ajo se çfarë dua të prek në këtë shkrim.

Pyetjen që përmenda me sipër dua ta zhvilloj paksa ne ambietin shqiptar. Mendoj ka relevancë të jashtëzakonshme jo vetem në ekonomi dhe sesi e zhvillojmë apo manaxhojmë biznesin por edhe në shoqeri me sjelljet tona. Natyrisht, i lidhur ngushte me konceptin e hapësirës është dhe ai i “kohës.” 
Mënyra sesi e shohim veten ne hapësirë fillon e zhvillohet qysh ne vogëli. Dikush ka dhomën e tij, gjerat e veta, tavolinën e vet të punës (mësimit për fëmijë etj.). Një trashëgimi e komunizmit ishte zvogëlimi i kësaj hapësire; d.m.th. heqja e prones private solli rrjedhimisht zvogëlimin e hapësirës personale. Hapësirat e shtëpive ishin shumë të vogla, tavolina e punës ishte tavolina ku hahej bukë. Hapësira ishte e përbashkët dhe çfarë dikush donte të bënte varesh nga dikush tjetër (hierarkia). Sesi dikush e koncepton veten në hapësirë dhe si rrittet me këte koncept ka shumë rëndësi për të ardhmen, në vendimmarrje, bërjen dhe zhvillimin e biznesit etj.

Çfarë më ka bëre përshtypje në biznesin shqiptar është pikërisht mungesa e një hapësire të tillë pune. P.sh. edhe ne magazina të mëdha zyrat e kuadrove janë diku në mes të makazinës, pa ndarje ose në një vend diku sa për të thënë; në shtëpirat private (pallate etj.) akoma mungon tavolina e punës. Për vëndin e biblotekës nuk po flas - nuk ka vënd për hapësirë të tillë në shtëpinë shqiptare.
Gjërat natyrisht që kanë evoluar me ndërtimet e reja por përsëri tek to shihet një ekstremizëm i mbushjes me orendi dhe mbajtjes së shtëpisë në një mënyrë të caktuar për sytë e të tjerëve. Ardhja në skenë e kompjuterit ka krijuar një kënd të nevojshëm (personal) por hapësira e punës është minimale në krahasim me vëndet përreth Shqipërisë apo ato perëndimore. Në perëndim hapësira e punës është domosdoshmëri pasi shumë njerëz merren me biznese të vogla dhe këndi i punës është i pranishëm për mbajtjen e transaksioneve, historikut dhe kontakteve etj. 

*           *          *

Jashtë familjes ky fenomen është gjithashtu i dukshëm. Madje vrojtimi i këtij fenomeni në hapësirën publike tregon me tepër se ç’duhet. Një vështrim nga lart i infrastruktures urbane - rrugëve, urave, komunikacioni elektrik, pallateve (te vjetra dhe reja), kanalizimeve etj. - tregon një gjëndje të mjerueshme të këtij fenomeni. Vendosja e një rruge, apo ure, pallati etj., nuk është e thjeshtë. Duhet parë në një pikturë të madhe, d.m.th. me kë lidhet ky objekt dhe me kë do lidhet në të ardhmen? Por le të kalojmë në një aspekt më të ngushtë pasi ky fenomen ka të bëjë dhe me organizimin dhe politikat shtetërore.

P.sh. le të shohim restorantet dhe kafenetë. Ndërtimi i tyre dhe hapësira që ato zënë duket sikur s’kanë lidhje fare me njrëa tjetrën. Ka mungesë konceptualizimi të hapësirës: sa i madh duhet objekti? Si do ta ndaj? Dhe çfarë kostoje ka secila ndarje? Këto janë disa pyetje që kanë rëndësi. Shumë vënde të tilla lluksoze nuk kanë minimumin e asaj që kërkohet si bazike, p.sh., banjot. Kjo hapësire e nevojshme nuk mendohet; disa restorante janë të pajisura vetëm me një kuvli të vogël ku çesma nuk punon apo është në një gjëndje të mjerueshme etj. Ndarja në ‘për burra’ dhe ‘për gra’ nuk mendohet. Për ta vazhduar me banjot: në fillimet e ‘90s banjot turke u zëvendësuan me ato alla-frënga me një shpejtësi marramendëse. Pastaj u vu re se nuk kishte ujë dhe çfarë u ndërtua e bëri funksionin më të vështirë. Si hardhi rrushi mbinë tubacionet rreth pallateve dhe si kërpudhat makazite e ujit nëpër tarraca, ne shumë raste me kosto për katet e fundit pasi rrjedhjet dhe problemet nuk kishin të sosur. Dushet u zëvendësuan me “më të fundit.” Në një hotel (ne Prishtinë) dushe të tilla që kushtonin me mijra Euro nuk punonin dhe kostet e mirëmbajtjes ishin të mëdha - raste të tilla ka plotë edhe Shqipëria. Ajo që po mundohem të argumentoj është e tillë: nga A kalohet në B dhe pastaj C e D e kështu me radhë. Por çfarë kemi parë në Shqipëri deri tani kanë qënë kalime nga A në D me B dhe C në vazhdim.

Çdo aspekt i ndertimit në hapësira të caktuara ka kosto të dukshme dhe të fshehura. Këto të dytat, në disa raste, janë shumë herë më të larta se e dukshmja. Raporti i gjithë hapësirës së lokalit me ndarjet e tjera (bar, kuzhine banjo etj.) neglizhohet. Nëse më parë ia vinim fajin diktaturës tashmë duhet tia vëmë fajin vetes. Nëse më parë nuk kishim hapësirë tani kemi dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të - e keqpërdorojmë dhe neglizhojmë.

Hapësira ka kosto, mirëmbajtja ka kosto, mospërdorimi ka kosto dhe shpërdorimi ka kostot e veta. Sesi unë e konceptualizoj veten në hapësirë ndikon në vendimet ekonomike që unë marr me konsekuenca për të tashmen por edhe për të ardhmen. Në ndërtimet private rëndësi i është dhënë madhësisë së secilës ndarje (dhomë gjumi, kuzhina, ballkoni etj.) duke neglizhuar pyetjen më kryesore: sa veta do qëndrojnë dhe përdorin shtëpinë. Organizimi i hapësirës përreth ndikon gjithashtu në mënyrën sesi dikush kryen biznesin dhe punët e veta. Hapësirat private janë betonizuar - “le te jetë sepse nuk i dihet” - duke harruar të pyeten funksioni, kostoja e tanishme dhe ajo e fshehur (afatmesëme dhe -gjatë). Betonizimi solli varrimin e ‘kapitalit’ i cili është produktiv kur nxjerr veten dhe përqindjen përkatëse të tregut. ‘Ku tjetër mund t’i investoj këto të ardhura,’ një nga pyetjet më fondamentale në ekonomi dhe financë, neglizhohet.

Hotelet turistike vuajnë nga e njëjta sindromë. Gjatë vitit të shkuar (Qershor) në Durrës përgjatë bregdetit natën shihje vetëm nga një dritë ndezur (shih videon) në pallatet e kalbura nga jashtë nga kripa e detit; Vlora vuante nga i njëjti fenomen. Organizimi i hapësirës private e hoteleve (duke përfshirë ato me luksozet) lë shumë për të dëshiruar. Hoteli turistik është menduar për ‘bukë dhe gjumë’ dhe jo si një hapësirë argëtuese. Shërbimi është i drejtuar drejt pronarit dhe shijeve të tija dhe jo kundrejt konsumatorit. Hapësira e hotelit i jepet në përdorim për një kohë të caktuar konsumatorit - shijet e tija/saja duhen (në një lloj forme) gjetur dhe hapësira argëtuese duhet zhvilluar drejt këtyre shijeve. Shabllonet ekzistojnë thjesht duhen kopjuar gjithmonë duke pyetur pyetjet e duhura: kush është turisti që duam; me kë konkurrojmë në rajon? investojmë për sot vetëm apo dhe nesër? etj.


Me rënien e remitancave dhe shtrenjtimin e kapitalit mbase keto koncepte të "hapësirës" dhe "kohës" do të shqyrtohen më mirë në të ardhmen.

Shih video:
http://youtu.be/rAwpjmwjo5A











No comments:

Post a Comment