Friday, January 18, 2013

Të Pa'udhët


Në përputhje me frymën e epokës së Ndriçimit (Enlightenment), Marx thotë se 'feja është opium për popullin.' Në Shqipëri ajo 'fe' që ka qënë opium për popullin ka qënë 'klasa politike' (nëse mund të marr hua shprehjen 'klasë' nga Marxismi).
Gjatë gjysëm shekullit komunist një klasë laiko-fetare e ashtuquajtur shkencore-politike do të udhëhiqte Shqipërinë, drejt një gremine ekonomiko-politiko-fetare. Kjo klasë do të konkuronte çdo lloj besimi tjetër fetar dhe do t'i nxirrte ato si të pavlefshëme. Si kështu? Sepse fetë mbizotëruese, myslimanizmi, ortodoksia, katolicizmi, etj., nuk e dinin 'të vërtetën.' Ishin ata që "i dinin të gjitha" - të mirën e të keqen -  dhe dinin të këndonin më mirë ungjillin e perëndisë së shqiptarit. Ishin ata 'priftërinj- (e hoxhallarë-) komunistë që sikur Zoti i kishte ngarkuar detyrën e shpëtimit të këtij populli. Popullit do ti servirej 'e vërteta' nëpërmjet 'priftërinjve e hoxhallarëve' të vërtetë. E vërteta ishte e arritshme këtu, dhe ishte materialiste. Për asgjë tjetër nuk kishte nevojë shqiptari, pavarësisht faktit se vetë ajo ideologji përbënte një 'fe' më vete laike në kuptimin e plotë të fjalës. Konkurrenca u lejua por vetëm brënda 'kishës' komuniste. Ajo do sillte në 'treg' prift-komunistin 'më të ditur' dhe do spastronte radhët e 'kishës' komuniste nga të vobektët dhe ata që 'nuk dinin.' Për 'të vërtetën' që shqiptarët morën nuk është e nevojshme të ndalem në këtë artikull të shkurtër.
Në mes të krizës totale që vijoi,  nga shkretëtira shqiptare, doli një 'klasë e re' prifto-politiko-laike. U zbulua se priftërinjtë komunistë nuk e dinin të vërtetën kurse këta 'e dinin' dhe vazhdojnë 'ta dinë' të vërtetën. Dhe jo vetëm 'e dinë' por 'e vërteta' është në zotërimin e tyre. Të veshur me rrobën fetare të politikanit laik kjo klasë e re iu fal Zotit dhe Ai i dëgjoi - Ai u dha bekimin që ta udhëhiqnin shqiptarin drejt progresit. Ndryshe nga hera e parë konkurrenca do të lejohej midis 'kisho-xhamive' laike dhe gjithashtu midis prifto-syreshve brenda këtyre institucioneve - "syreshë" do të thotë ata poshtë 'majës' së piramidave. Bekimin prifto-laiku i majës e mori për gjithë jetën e tij ('e saj,' si në gjininë femërore, nuk ekziston për këtë rast). Që mos të humbnin gjurmë, edhe ata fetarët komunistë për të njëjtin progres u betuan dhe morën bekimin e Zotit (e popullit).
Të Mjerët
Populli si bagëti e vërtetë, apo dele të urta të perëndisë, dhe me besim të verbër e ndoqi këmba-këmbës prifto-komunisto-çobanin dhe drejt greminës shkuan si një trup i vetëm - ata që shpëtuan iu falën prapë perëndisë për mëkatet. Me zell fetari (apo pagani për ata që mendojnë ndrsyhe), entuziast, dhe afsh mëkatari, populli u pendua dhe filloi të ndiqte këta 'priftërinjtë' e rinj "kudo që ata do të shkonin," siç thotë edhe Bajroni - natyrisht sipas klaneve dhe fiseve këtë radhë. Dhe këta 'të rinjtë' me bekimin e popullit (apo Zotit), si fallxhorë të vërtetë dhe me turne 4-vjeçare, ia filluan punës - të mblidhin taksën/qiranë e duhur për kaluar në anën matanë, në parajsë. Kur turnet ndërroheshin, si me magji, ata që ndodheshin në 'parajsë' e gjenin vetveten në 'ferr' dhe anasjelltas. "E vërteta' e druajtur dhe dhelpërake, njëherë kalonte andej e një herë këndej.
Në fillim të shekullit të XVI-të Lutheri e pa 'të vërtetën' nga afër. Për një shumë të caktuar mëkatet faleshin - çdo mëkat - nga kisha katolike, dhe parajsa vinte kaq afër mëkatarit. Kaq shumë u shokua Lutheri nga kjo veprimtari e kishës katolike saqë përfundimisht vendosi të përballej vetë 'me të vërtetën' dhe i hapi kështu rrugën Protestanizmit, Kalvinizmit e çfarë vijoi - çdo kush nëpërmjet 'besimit' tek vetvetja (jo besimin tek prifti) gjen Zotin e parajsën e vet. Një Luther laik është nevojë e domosdoshme për të konkuruar këto piramida fetaro-politike që me metastazat e tyre i marin gjakun si njërës palë ashtu edhe tjetrës. "Njëra palë apo pala tjetër" në terma makro ekonomikë nuk ka shumë rëndësi, pasi bashkë ato përbëjnë një njësi. Kjo do të thotë që pasuria thjesht ndërron duar, dhe kur njëra palë apo tjetra vuan, e gjithë njësia vuan në total, besimi në 'progres' dobësohet e rrjedhimisht tregu e institucione lëngojnë.
Shqipëria (për mua) është në krizë besimi më shumë e jo vetëm në krizë ekonomike (politike). Të dyja përforcojnë njëra-tjetrën, pasi 'besimi' është komponenti më kryesor i funksionimit të rregullt të tregut, të çdo ekonomie tregu. Në botën perëndimore ajo fe laike që ka përmbushur dhe konkurruar fetë e tjera ka qënë 'tregu' - progresi (nëse ka një gjë të tillë?) është i mundshëm nëse ia lëmë në dorë këtij mekanizmi të bëjë punën e vet. Dhe për të qënë të saktë ky mekanizëm arriti për shumicën e njerzve një mirëqënie më të lartë 'materialiste,' pavarësisht faktit që nga ana sociale, shoqërore e mjedisore ka sjellë shumë probleme. Por tregu ka qënë bazuar mbi institucione funksionale, efikase dhe të besueshme. Këto institucione në Shqipëri janë zaptuar nga një 'klasë fetaro-politike' taksat/qeratë e së cilës e kanë penguar dhe lidhur tregun e lirë me zinxhirë.
Çfarë taksash/qeraje
Një sipërmarrës ka dëshirë të hapë një fabrikë apo punishte dhe i duhet të bisedojë më zv. ministra e ministra sepse ata i dinë gjërat, për një shumë të caktuar. "Janë shumë," thotë sipërmarrësi, "nuk ia vlen!" "Mos argumento, por pago!" (në frymën e Kantit) thonë ata që 'e dinë.' Ajo është taksë mbi biznesin.
Dikush shkon në spital për një lindje, vdekje apo ndonjë hall tjetër. Për një shumë të caktuar halli të zgjidhet (ose edhe jo, por çfarë rëndësie ka kur qeraja pagohet njëlloj?). "Mos argumento, por pago!" thotë ai që 'e di.' Ajo është taksë mbi konsumatorin - mbi popullin më mirë të themi sepse paguan dyfish, edhe për fondet e mirëmbajtjes së shëndetit edhe kur konsumon një servis.
Dikush tjetër është duke shkuar nga një qytet në tjetrin me makinën e vet për punën apo hallin e vet. Çdo 15 km kontroll (a thua jemi gjëndje lufte)! "Gjobë," thotë polici, "sepse ishe shpejt" (apo nuk ke filan dokument). Dhe "Mos kundërshto, por pago!" Ajo është taksë mbi popullin!
Dikush tjetër shkon në bashkinë e lagjes për një problem. I duhet të presë (taksë gjithashtu) për personin që i 'di' gjërat në të vërtetë. Një leje shtëpie, një dokument familjar etj., motoja është  "Mos argumento, por pago!"
Dikush tjetër dërgon fëmijët në shkollë - ke mësuar apo nuk ke mësuar nuk ka rëndësi, mjafton të takosh atë që i 'di' gjërat dhe problemi zgjidhet. "Mos argumento, por pago!" Ajo është taksë mbi popullin.
Dikush tjetër shkon për të marrë një vend pune ... "Mos argumento, por pago!"
Të gjitha këto të mësipërmet, e shumë të tjera, janë ato që në gjuhën e ekonomistëve quhen kosto transaksionesh (kosto të veprimtarisë së shitblerjes). Janë këto që deformojnë strukturën e ekonomisë nga ata që 'i dinë' gjërat dhe që udhëheqin drejt 'progresit.' Motoja e tregut të lirë është që çdo transaksion kryhet nëpërmjet një kontrate, ku dy persona hyjnë në të të lirë. Drejt progresit, nëpërmjet tregut të lirë, shqiptari po shkon nën pranga. Taksat e mësipërme nuk janë gjë tjetër por pranga për atë që nuk është i lirë. Dhe shqiptari ka të drejtë kur bërtet për liri e drejtësi - si një skllav i vërtetë sepse vetëm ai kërkon liri e drejtësi (nëse e di se çfarë është, natyrisht) - sepse këto koste të transaksionit e kanë zhytur deri në grykë e i kanë marrë frymën.
Po pastaj?
Nuk jemi as të parët e as të fundit që ndeshemi me probleme të tilla por një pyetje shtrohet: Si i bëhet? 'Pozita' nuk është gjë tjetër veçse celësi magjik për 'një qira' të majme. Nuk është çudi kur dëgjon kandidatët të bërtasin e ulërasin 'pallavra' gjatë zgjedhjeve. Prifto-politikani që bërtet më shumë ka shanset më të larta për bekimin nga perëndia për të 'ditur' më shumë dhe pasur 'çelësin' për tek e 'vërteta.'
Si i bëhet? Prifto-politikani që premton e manipulon më shumë ka shanset më të mira për të marrë bekimin e popullit, që ky i fundit të vazhdojë të jetë nën pranga, të vazhdojë të thotë "rri se jemi mirë!" - të vazhdojë me dorën në xhep në tregun e lirë shqiptar.
Si i bëhet? Konkurrenca i zgjidh kollaj gjërat sepse, sipas të lashtëve (Pythagoreans), ai që fiton në garë është më i miri dhe meriton titullin e më të mirit. Këtij titulli i shtohet automatikisht nga ungjilli titulli 'më i dituri,' i jepet edhe bekimi, dhe prifto-politikani laik bëhet i denjë e i autorizuar të udhëheqi drejt progresit.
Kë të zgjedhësh? të gjithë janë njëlloj!
Aristoteli thotë se 'udhëheqësi' dhe 'ata që udhëhiqen' janë një (në një lloj sensi); populli do thoshte 'sipas kokës edhe festeja.' Ndryshe mund të jetë, 'si ata që zgjidhen edhe ata që zgjedhin janë një.' Në kohën moderne këta të fundit kanë shumë në dorë, si kë të zgjedhin ashtu edhe kërkesën e llogarisë. Një votë nuk e sjell ndryshimin, të gjitha PO. Një dru nuk e bën një pyll apo një dallandyshe nuk e sjell pranverën. Por nëse të gjithë ia lënë në dorë "shansit" të vendosë dhe vazhdojnë rutinën e përditshme "se këtu nuk bëhet," natyrisht që edhe rezultati do jetë i tillë, po i njëjtë. Ata që vendosin, vendosin edhe për ju që nuk vendosni. Pyetja, si gjithmonë, është: Kë të zgjedh?
Zgjidh një tjetër, atë që 'nuk di' por është i aftë dhe dëshiruar të mësojë e dëgjojë. A ekziston dikush që ka thënë (dhe thotë) se "'nuk e di' por eja ta diskutojmë"? Ai/ajo që "nuk di" qëndron më lartë, në terma relative, sesa ai 'prifto-politikani' që i di gjërat. Ai që thotë unë (pra partia jonë) e di - e di veda - është i destinuar të dështojë dhe mbajë nën pranga ata që kujtojnë se janë 'të lirë.' Dhe nëse një gjë dihet me të vërtetë, është fakti që politika duhet lënë jashtë duarve të atyre që 'i dinë gjërat.'  
Ç'do të thotë ndryshim?
Kur klasa e re e prifto-politikanëve laikë erdhi në pushtet ata premtuan, dhe populli gjithashtu kërkoi, 'ndryshime.'  Si mund të bëjë ndryshim dikush që udhëheq, dhe populli gjithashtu të presi ndryshime, kur të njëjtat gjëra thuhen e bëhen përditë? E njëjta gjuhë e bastarduar përdoret përditë! Si mund të ketë ndryshim kur rutina e përditshme është po ajo, ditë mbas dite, për të gjithë? Ndryshimi kërkon një gjuhë të re, koncepte të reja, promovues të rinj, ide dhe praktika të reja - një lloj revolucioni - por që të gjitha këto duhet të gjejnë aplikim në mjedisin shqiptar. Ndryshimi kërkon besim! por edhe reflektim e kritikë.
Ta themi ndryshe, dikush mund t'i bëjë një pyetje vetes, "çfarë bëra sot ndryshe nga herët e tjera?" Nëse përgjigja është "asgjë," atëherë "asgjë" nuk duhet ndryshuar. Çdo gjë është mirë. Të gjithë flasin se janë të pakënaqur dhe duan që gjërat të ndryshojnë, por askush nuk është i gatshëm të ndryshojë sikur edhe një gjë të vogël në 'rutinën' e vet të përditshme. Në përgjithësi flitet se ka varfëri, tregohen me gisht lagjet e varfëra apo njerëzit të cilët marrin ushqime me tollona apo shënojnë emrin nëpër lista. Por prapë askush nuk është i gatshëm të bëjë një punë vullnetare tek ajo lagja e varfër, të ndihmojë dikë sesi të gjejë punë (dhe jo thjesht të çojë një pjatë supë sepse zgjat situatën), t'i japë forcë e shpresë dikujt se jeta ia vlen të jetohet, dhe udhëzojë dikë se duhet të ketë shpresë e besim - besim tek vetja dhe komshiu e komuniteti. (Për të dalë pak jashtë teme, shkollat dhe universitetet duhet të jenë të parat të vendosin 'vullnetarizmin,' bizneset gjithashtu.)
Shumë flitet për të tjerë si në media dhe në diskutime private dhe kjo është shenjë e mirë sepse tregon që në një lloj forme dikush 'kujdeset.' Por a është kjo forma e përkujdesjes? Mendoj që jo! Madje do shtoja që është hipokrite. Hipokrizia qëndron në atë që gishti për çdo gjë i vihet 'shtetit.' Pallate e zona publike që janë të papastruara shihen gjithandej - por fajin e ka shteti! Plehra të ndryshme hidhen nëpër plazhe e zona bregdetare - fajin e ka shteti! Shpresa ka 'humbur,' besimi tek njëri-tjetri, apo tek shoqëria (meqë jetojmë në shoqëri), është jo-ekzistent; për ndihmë të mirëfilltë apo punë vullnetare në njësi pallati (shkalle) apo lagje e institucione nuk bëhet fjalë. Por guximin injorant e kemi të themi "fajin na e ka shteti!" "S'ka ligj," thotë skeptiku; "nuk ka shtet" thotë pagani - "kush e ka fajin?" pyet dikush tjetër. "Shteti," përgjigjen budallenjtë. E përkëthyer në shqip, "nuk ka shtet" sepse "e ka fajin shteti."     
Ndryshimi fillon në vetvete dhe në familje, në shkallë e komunitet, dhe siç i thonë shprehjes, "asnjë lëvizje nuk fillon me arsyetime por me besim." Me besim zhduken dhe të pa'udhët.

Saturday, January 5, 2013

Viti i Ri Shqiptar: Fshatari dhe Vota


Teoria e ekonomisë së tregut mund të përmblidhet thjesht në këtë formë: secili avancon interesin e tij vetiak në treg dhe shoqëria në përgjithësi (në total) përfiton. Gjatë festës së vitit të ri, apo mbylljes së vitit të vjetër, shumë dhurata jepen dhe në përgjithësi ideja e interesit është e përfshirë në dhuratë. Natyrsiht nuk e mohoj faktin që ka njerëz që japin dhurata në familje apo gjetkë thjesht për mirënjohje apo bujari. Por le të përqëndrohemi tek rasti i parë si bazë themeltare e ekonomisë së tregut.
Në këtë artikull të shkurtër unë paraqes dy kërkesa: (1) viti i ri të hiqet si festë pra bashkë me të edhe dhuratat; dhe (2) Shqipëria të festojë 'Vit të Ri' njëherë në 4 vjet, rastin e zgjedhjeve parlamentare. Ky Vit it Ri të festohet për një periudhë prej 2 - 3 muajsh. Ju duket çmenduri? Aspak! Dua ta aplikoj këtë koncept të ri tek fshatarësia, megjithëse edhe qytetari i thjeshtë mund të mësojë e reflektojë mbi konkluzionet. Gjatë Vitit të Ri Shqiptar të gjithë ata/ato që pretendojnë për postin e parlamentarit shkojnë dhe paraqesin programet elektorale të partive përkatëse në rrethe dhe fshatra në mbarë vëndin. Çdo fshatar (apo fshatare) në moshë votuese ka në dorë një votë. Kandidatit i duhet ajo votë prandaj dhe ai 'premton.' Premton se do ngrejë rrugë e përmirësoj jetesën e fshatarësisë për tu kthyer sërisht mbas 4 vjetësh e parë 'me habi' se: rrugët nuk janë rregulluar, tokat në përgjithësi janë djerrë, kanalet të papastruara, kostot e huamarrjes shumë të larta dhe fshatarin që mbijeton në një gjëndje katastrofike. Atëherë çfarë ka fshatari në dorë "këtë herë?"
Është një barcalet me fshatarin shqiptar në kohën e komunizmit 'që do hajë bar por kurrë nuk do përkulet,' dhe të gjithë e dinë që kur kaloi Enveri dhe e pa të bënte me gjeste sikur hante bar e këshilloi që 'kur të mbaronte, të hidhej nga parcela tjetër.' Pra, në kohën e komunizmit fshatari nuk kishte as tokë dhe as bagëti por vetëm bar dhe 'frymë komuniste.' Një thënie biblike thotë se "njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë," por fshatari i sotshëm ka edhe tokën edhe pak bagëti - ai/ajo që ka mundësi, natyrisht - por prapë po ha 'bar' dhe, mund të shtojmë, pa ndonjë frymë ideologjike. Kjo nuk do të ndodhi më nëse dy kërkesat e mia të mësipërmet do të vihen në zbatim.
Fshatari i sotshëm gjatë festave të 'Vitit të Ri" shqiptar në përputhje me teorinë e tregut do kërkojë nga kandidati 'mjetet e jetesës' dhe jo thjesht një thes me grurë apo misër që mbaron për një muaj. Lopë, dele, pula, kuaj, dhi, derra etj. dhe ushqimin përkatës për të mbajtur këto kafshë për një periudhë të paktën 4-vjecare, deri kur të vijnë 'zgjedhjet e tjera.' Boll me premtime sepse janë llafe! por akte të vërteta nevojiten dhe fshatari duhet të ndërgjegjsohet për këtë fakt. Mjerë ai që u beson premtimeve dhe voton sepse premtime do hajë!
Në çdo fshat asnjë kandidat mos të pranohet nëse ai nuk vjen me këto 'mjete jetese' dhe ushqimet përkatëse. Asnjë lopë, dhi apo dele mos të pranohet pa u sigurar për 4 vjet ushqimi. Ky rregull ka përjashtim në rast se dikush kërkon ta shesë mallin që i jep kandidati por fshatari nuk duhet të bjerë në kurthe të tilla, pasi çmimet ulen automatikisht nëse të gjithë do duan ta shesin mallin në të njëjtën kohë.
Fshatari i sotshëm është dhe duhet të jetë më i pasur sesa fshatari komunist duke parë interesin e tij gjatë 'Vitit të Ri.' Ky duhet të jetë argumenti i fshatarit: "Doni votën time zotëri kandidat? Patjetër! Ja ku është adresa dhe pasi të kem siguruar jetesën time dhe të fëmiijëve që kam në shkollë, do t'ju jap votën." (Qytetari, pak a shumë në një frymë të njëjtë, duhet të kërkojë kontrata - obligime - dhe jo premtime!) Madje fshatarët e zgjuar të marrin nga të gjithë ata që kandidojnë! Më besoni se nuk do ngelen shumë të tillë, vetëm disa kokrra (parti). Mjaft i kanë rënduar buxhetit të popullit!
Ky model i ri do ta bëjë sistemin elektoral shqiptar më efikas, më të drejtë, dhe 'do ndajë shapin nga sheqeri,' siç i thotë populli. Do kandidojnë vetëm ata që 'kanë.' Ata që kanë vetëm llafe (premtime) dhe që bëjnë sikur dinë do siten si mielli në shoshë. Ky sistem i ri forcon njëkohësisht edhe përgjegjësinë ndaj fshatarit votues. Si? Askush nuk do dojë t'ia dijë se çfarë do ndodhi gjatë 4 viteve pasi jetesa është siguruar, por do kërkohen gjëra të tjera - me një fjalë kërkesë e re do përfshijë tregun, teknologji, tregëti elektronike, kërkime shkencore të avancuara etj. Le të jetë ky një Vit i Ri që do shndërrojë fshatarësinë dhe Shqipërinë drejt një progresi materialist dhe ideologjik të padëgjuar - një model i ri zhvillimi ekonomiko-politik i denjë për një piedestal nderi dhe hulumtim nga shkencëtarët shqiptarë.

Wednesday, January 2, 2013

Një Reflektim mbi Shtetin dhe Shoqërinë (jo)Civile



Raportohet shpesh në mediat shqiptare shkatërrime të pyjeve (Lura) apo, në raste të tjera, keqpërdorim (keqmenaxhim) të ambjenteve dhe pronave publike. Reportime të tilla janë shumë tronditëse dhe domethënëse për një gjëndje mos-qeverisjeje që Shqipëria vuan. Disa e quajnë ‘masakër të njeriut mbi natyrën.’ Dikush tjetër e quan ‘kafshëri’ apo ‘barbarizëm.’ Mbase! Kafsha jeton në harmoni me natyrën; ajo, thotë Schopenhauer, “kurrë nuk mund të humbë rrugën e zgjedhur nga natyra” dhe si rrjedhojë nuk mund ta prishë atë. Nga historia dihet se barbarët kanë prishur civilizime, qytete dhe perandori, por në një gjëndje të pazhvilluar, ata akoma nuk kanë dalë nga ajo gjëndje shtazore që rron në paqe me natyrën. Termi i parë është më afër të vërtetës por ka një ndryshim në atë që në shoqëri njeriu pret dhe mbjell, prish edhe ngre, shkatërron dhe rregullon, dëmton e riparon dhe zbukuron. Blloqe pallatesh e shtëpish ngrihen (prishet pra natyra) por pemë e bar mbillet rreth e rreth, park dhe lulishte, pyje artificiale apo dhe liqene të tilla.

Në Shqipëri çdo gjë betonizohet dhe natyra nuk luan asnjë rol - shqiptari i sotshëm është marsian i vërtetë; ai dashuron vetëm shkretëtirën. Në ai ndërton piramida - në çdo aspect të jetës: familje, punë e shoqëri, parti apo institucion. Çfarë kuptohet dhe duket qartë është se shqiptari nuk ka kuptuar akoma se jeton shoqëri dhe jo në klan. Në klan apo fis një njeri bën si di vetë (natyrisht sipas ligjeve të klanit); ai përpiqet me natyrën ta vërë poshtë dhe përdori në interes të tij. Ai nuk do t’ia dijë për fisin tjetër, fshatin matanë apo komshinjtë e vet. Ai gëzon një liri të barbarizmit por jo liri politike të një shoqërie civile. Në shoqëri njeriu është i limituar dhe ka, përveç të drejtave, edhe detyrime. Një pemë nuk mund të pritet thjesht sepse të pëlqen dega.

Sot shqiptari ngre gardhin me çtë mund: ferra, blloqe, tulla, beton, tela, kallama, rrjeta, etj. Ngre shtëpinë ku të dojë dhe e mbulon me se të dojë: dërrasa, beton, qeska, kallamishte, llamarina e hekura. Hap e mbyll kanale e gropa dhe puseta sipas dëshirës, zgjeron shtëpinë sipas asaj që e quan gusto. Zapton tokën matanë sepse është e tija, pasi ai tjetri ia ka vjedhur pa të drejtë dhe drejtësinë ia jep vetvedit (siç thotë shkodrani). Njëtrajtshmëria dhe sistemi janë koncepte të huaja - "format themeltare të bukurisë," do të thoshtë Aristoteli në librin e famshëm Metafizika, "janë rregulli, simetria dhe e përcaktuara" - bukuria dhe pastërtia e mjedisit nuk perceptohen. Rregulli dhe normat nuk kuptohen; ligjin e bën vetë, e zbaton vetë, e ndreq dhe e përdredh vetë; për çdo gjë vendos vetë si një subjekt që nuk ka objekt dhe kontent.

Në shoqëri ka proçese që vendosin, ka pronë private por edhe të përbashkët. Edhe pse një shtëpi është e jotja ti nuk mund t’i vësh flakën sepse thjesht ashtu mendon dhe do. Duhen marrë masa, dhe leje, duhet parë kush mund të dëmtohet nga kjo gjë në mënyrë që mos të dhunohet tjetri (dhe shoqëria) apo kostoja mos t’u kalojë të tjerëve. Me një fjalë ekziston një gjëndje, që është e dukshme në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, ku shqiptari bën si di vetë dhe lumi, mbas tij/saj, le të marrë të tjerët. Ta qeverisësh është shumë e vështirë sepse akoma nuk është zgjuar nga gjumi shekullor. Pierre Joseph Proudhon, një politikan dhe filozof francez i shekullit të XIX-të, na jep një përshkrim të detajuar të qytetarit, me një fjalë të anëtarit të një shoqërie civile, dhe, heshturazi edhe të, shtetit: "Të qeverisesh është të gjurmohesh, inspektohesh, spiunohesh, drejtohesh, udhëhiqesh nga ligji, numërohesh, rregullohesh, regjistrohesh, indoktrinohesh, predikohesh, kontrollohesh, kërkohesh, vlerësohesh, çensurohesh, komandohesh, nga krijesa që nuk kanë as të drejtën as zgjuarsinë as virtyetshmërinë për të bërë këtë gjë. Të qeverisesh është të jesh në çdo operacion, në çdo tranzakcion i shënuar, regjistruar, numëruar, taksuar, stamposur, matur, numëruar..."

Për të gjitha shqetësimet e mësipërme, pak a shumë në një formë të njëjtë, u paralajmëruan në kohët e lashta edhe Izraelitët kur kërkuan nga Samueli që të vendoste një mbret (shtet në botën tonë moderne) për ti udhëhequr, pasi djemtë e Samueli-it, të cilët ishin vendosur si gjyqtarë, kishin marrë rrugë të këqija. Samueli i paralajmëron për mbretin që: "Do t’ju marri djemtë dhe do t’i bëjë të servirin koçitë e tij e kuajt dhe do t’i vendosi përpara tyre të vrapojnë ... Do t’ju marri vajzat t’i bëjë parfumiere dhe guzhinjere dhe furrtare. Ai do marri tokat tuaja më të mira dhe vreshtat dhe ullishtet dhe do ia japi shërbëtorëve të vet ..." Pra, të jetosh në një shtet modern ligjin nuk e bën më njeriu por shoqëria, sado të papërshtatshme dhe me mangësira si ato të mësipërmet dhe secili duhet ta ndjekë atë njëlloj përndryshe kemi këtë kaos që shohim dhe që ndjemë të gjithë në shpatullat tona. Po të shkojmë pak më tutje, shqiptari më mirë pranon ato mangësira të ligjit në shtete të tjera dhe u beson më tepër atyre institucioneve sesa mangësirave të një shteti si ai shqipëtar.

Por, mund të thojë një kritik i mprehtë, ju nuk përmendët shtetin apo institucionet e tij aspak  në gjithë atë diskutim por iu drejtove vetëm individit (shqiptarit) apo shoqërisë (shqiptare). Shteti dhe institucioni, sado moderne qofshin, nuk pasqyrojnë gjë tjetër veçse ato marrëdhënie të shprehura qartë në shoqëri - ky konstatim vlen edhe për politikanin; ai nuk është alien i ardhur nga Marsi, por baba, nënë, vëlla, motër, gjysh apo gjyshe shqiptare; i lindur dhe rritur në atë ambient shoqëror. Dhe, për ta mbyllur, në shoqërinë shqiptare, zhvilimet e shtetit apo institucioneve nuk janë në harmoni me zhvilllimin e shoqërisë civile (nëse ekziston një gjë e tillë) dhe me zhvillime të tjera ekonomiko-shoqërore. Aq më keq kur koncepte të huaja janë prevalente dhe nuk kuptohen. Ato do të marrin kohën e tyre që të kuptohen dhe hyjnë në ndërgjegjen e shqiptarit.[*]











[*] Artikulli është marrë nga libri "Gjinkallat Këshilltare" dhe përshtatur për qëllim botimi në media.