Thursday, July 4, 2013

Ç’ndodhi me të majtën?!*


Rezultatet e qershorit 2013, siç i lexoj unë, na japin këtë pikturë: LSI fitore; PD humbje; dhe PS stanjacion, që vazhdon prej vitesh. Sa për Shqipërinë nëse humbi apo fitoi është një pyetje tendencioze që për momentin nuk kërkon shpjegim – çdo rast zgjedhjesh mund të paraqitet si “fitore” e Shqipërisë (p.sh. nga krahu që fiton). Një mangësi e të gjitha forcave politike ka qënë pamundësia për të kuptuar realitetin shqiptar dhe pastaj për ta matur, d.m.th. materializimi ne vota. Si (arch) arsye kryesore e së majtës për tu bashkuar ka qënë mundja e kreut të PD-së – pra një arsye politike - dhe jo realiteti ekonomik shqiptar. PD nga ana e saj habitej me ankesat e anës tjetër pasi shifrat ekonomike tregonin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka mundur të ketë një rritje ne GDP. Per sektoret që kanë ndikuar këtë rritje pak është folur.

Ajo çfarë ngatërrohet në këto shifra të GDP-së është transformimi i rritjes ekonomike në mirëqënie mbarë-shqiptare, në shanse të barabarta punësimi, në drejtësi ligjore, në funksionim institucional të tregut, me një fjalë, në ri-shpërndarje të drejtë të të gjithë kësaj rritjeje ekonomike (pasurie të fituar) etj. Pra, ngatërrohet  harta për terrenin.

Fakte të tilla tregojnë një shkëputje dramatike mes politikë-bërjes dhe praktikës, pra realitetit që përjeton populli. Prandaj pragmatizmi nuk është karakteristikë (veçori) e politikanit shqiptar. Nën ajrin e kondicionuar dhe i rrethuar (mbrojtur) nga analizat e analistëve, po aq të shkëputur nga realiteti, politikani shqiptar (i të gjitha forcave) kujton se ‘bën politikë.’ Një shembull: në fund të shekullit të 18-të kur Amerika filloi ndërtimin e strukturave shtetërore një hap themelor ishte përfshirja e politikanëve praktikë në politikë bërje. Kush ishte politikan praktik? Dikush që mbasi dilte nga parlamenti dhe shkonte punonte në fermën (apo biznesin) e vet. Por nëse me politikë kuptojmë manaxhimin e xhepave të dikujt, natyrisht politikani shqiptar (i të gjitha ngjyrave kur ka pozitë) meriton për tu lëvduar.

*          *          *
Një lajm tjetër ishte dhe dorëheqja e kreut të PD-së. Një karriere 23 vjeçare në politikë të cilën unë e ndaj në tre faza: (1) realizmi fëmijnor, (2) metafizikë adoleshenti, dhe (3) pleqëri empiristi. Duhet theksuar fakti se në të treja fazat struktura e PD-së ka qënë piramidale përkundrejt “mullarit” të PS-së.

Gjatë fazes së parë çdo gjë ishte e mundur – rrethanat pak (ose aspak) kuptim kishin. Cdo adoptim apo e re merresh e mirëqënë – natyrisht faktori i huaj nuk do përjashtuar - e mundur dhe e dëshiruar. Si në ‘lojë lufte’ fuqia e mobilizimit ishte përcaktuese dhe forca dominuese. Një meritë është fakti i mobilizimit të gjithë forcave – të ashtuquajtura nga sistemi komunist – regresive. Të gjithë ata u përfshinë në sistemin e ri që po ndërtohesh mbi të vjetrin nën piramidën e PD-së. Kontroll kaq të fortë institucional i këtyre energjive do ta kishte zili edhe vetë komunizmi.  Kulmin kjo fazë e arriti në ’97-ën.

Faza e dytë ka qënë faza më e gjatë e karrierës së liderit të PD-së. Modelet, këshillat, faktet etj., nuk merreshin të mirëqëna. Ekzistonin faktorë të tjerë që provonin të kundërtën. Aleancat ishte themeli i shtet-bërjes dhe tek ato qëndronte dobësia. Kjo fazë mbaroi me marëveshjen e 2009-s.

Faza e tretë është ajo më interesantja pasi arkitekti i PD-së përpiqet të shfaqë pjekurinë e një lideri të vërtetë. Kulmin kjo faze e arriti në fjalimin e dorëheqjes. Ndryshe nga herët e tjera, një dorëshkrim lexohej dhe një pasqyrë iu bë PD-së ku shumë arritje u përmendën. Analistët, të mërzitur, kërkuan më tepër duke harruar faktin se në shumë gjëra çfarë thuhen, ajo që ka shumë rëndësi është çfare “nuk thuhet.” E njëjta gjë ndodh me drejtësinë shqiptare.

Në një parashikim midis miqve unë parashtrova këtë skenar: nëse PD do të humbte thellë, do të vijonte një kaos midis radhëve të saj dhe FRD do të absorbonte këto energji të së djathtës. Natyrisht ky ishte një skenar i ekzagjeruar. Lideri i PD-së kaloi - me një lëvizje historike - nga rrafshi personal (individual) që kishte karakterizuar gjithë karrierën e tij politike në një universalizëm që edhe Cezari i madh do ta kishte zili për emrin të cilin e morën perandoret e tjerë. Këta që do vijojnë në kryesinë e PD-së nuk do mund ta marrin dot “emrin” e liderit historik të PD-së.

*          *          *
Gjatë këtyre viteve përfshirja e individëve meritokratë nga PD në institucione shtetërore (edhe partiake) ka qënë e ulët. Ka qënë pikërisht kjo dobësi (1) e cila, në një kohë të mesme dhe të gjatë siç ishin këto 8 vite qeverisje, krijoi çarjen në qënësinë e saj. Një dobësi (2) tjetër ka qënë mungesa e përfshirjes së mendimit ndryshe (apo fraksioneve). Nga e merr informacionin kupola politike? Ekziston nje zinxhir informacioni prej, të themi, 4-5 hallkash, informacion ky që përcillet tek kupola e cila reagon sipas “fakteve” të dhëna. Ky zinxhir informacioni ka funksionuar si “telefon i prishur” pasi njerëz që kanë ditur të thonë vetëm PO janë punësuar në këto hallka dhe po njerëz të tillë janë pyetur për informacion. Pra fajin për humbjen e zgjedhjeve që lideri i PD-së mori me modesti nuk është aspak i tiji, madje mund të them që ka qënë i vetmi që ka punuar dhe drejsitur me fort nga gjithë dembelat dhe fodullët që e ndiqnin duke duartrokitur.

Probabiliteti i një mundësie tjetër nuk u mendua le më të jetë folur. Interesant është fakti se të dyja këto dobësi i ngjasojnë strukturës së Partisë së Punës së atëhershme. Ka thënë Hegel: njerëzit kurrë nuk mësojnë nga historia.

* Titulli i këtij artikulli është huazuar nga artikulli i z. Fevziu “ç’ndodhi me të djathtën?!” (Panorama, dt. 26 qer 2013). I kërkoj ndjesë lexuesit per mospërputhjen e titullit me kontentin por qëllimi është i mirë.