Thursday, December 20, 2012

Metafizikë Politike: Kritikë "Rilindjes"



Ky artikull nuk është politik, por synon të analizojë një program të një partie për të parë se çfarë i ushqehet zgjedhësit dhe, njëkohësisht, sa i ndërgjegjshëm është zgjedhësi për të analizuar dhe kuptuar programe të tilla politike.

Programi i PS në këtë fushatë zgjedhjesh titullohet, "Për një Rilindje Shqiptare." Dikush do argumentonte se është e drejta e çdo partie politike, pjesëmarrse në zgjedhje, të vendosë dhe titullojë programin e vet si të dojë. E vërtetë! Por koncepti në vetvete duhet të prezantojë një diçka specifike dhe të aplikueshme për Shqipërinë. Zgjedhja e titullit e cila përfaqëson atë çfarë duam të arrijmë është çorientuese. Rilindjen (Kombëtare) Shqipëria e ka kaluar para një shekulli e pak, çfarë vijon nuk është prapë e njëjta gjë. Të jetë e njëta gjë do të thotë të konceptosh gjërat dhe kohën si një rrotë - fillon diku dhe mbas 100 vjetësh je prapë në të njëjtin vend. Si progresistë - pra si njerëz që besojnë në zhvillim - edhe koncepti i zgjedhur nuk është prezantues i asaj se çfarë ka nevojë Shqipëria. Shqipëria nuk ka nevojë për sensualizma por racionalizëm, nuk ka nevojë për muzikë e vjersha por autostrada, hekurudha, lidhje detare dhe ajrore konveniente si me vëndet fqinjë ashtu edhe me botën. Do të ishte më e saktë dhe e drejtë sikur Programi të quhej "Ndriçim i Mëndjes Shqiptare" (një farë Enlightment) - një reflektim njerëzor dhe i punës që është bërë, ku duam të shkojmë, me mundësitë njerëzore dhe financiare që disponojmë, dhe si do shkojmë atje.
Programi ka (shumë) koncepte te tjera të cilat nuk janë të qarta llogjikisht edhe për ata që i kanë formuluar. Dikush mund të imagjinojë se çfarë ndodh me popullin kur i lexon (nëse! i lexon). Disa jepen më poshtë.
Modeli i Ri Ekonomik
Modeli i Ri Ekonomik nuk shpjegohet por në seksionin e tretë të programit thuhet se  konsumatori do të mbrohet nga forcat e tregut me anë të "dorës së dukshme" të shtetit. Kjo në vetvete nuk përbën një model të ri ekonomik. Të mbrosh prodhuesit, nëse do mbrohen nga "dora e dukshme," përsëri nuk përbën model të ri, është i vjetër.
Modeli kapitalist është një: mbizotërim i pronës private (problem i pazgjidhur akoma në Shqipëri) i mbrojtur nga një sistem drejtësie (që në Shqipëri  mbetet i korruptuar dhe jo funksional) në një ekonomi tregu ku çmimet vendosen sipas sinjaleve që merren nga tregu (sinjale = informacion, mund ta imagjinoni). Ka variacione në këtë model dhe tre njihen mirë nga ekonomistët: Kontinentali Evropian (ai Skandinav është një ekstrem i tij); Anglo-Saxon; dhe modeli Aziatik. Dy të parat janë në krizë, kurse i treti ka disa veçori, midis të tjerave, të tilla:
  • politika konservatore makroekonomike (inflacion i ulët, dhe teprica fiskale shtetërore);
  • ekonomi të forta konkurruese dhe të integruara fuqishëm me tregun botëror; 
  • transferta të vogla sociale si % e PBB - fakt ky që ka kontribuar në një përqindje të lartë kursimesh (investime) nga popullata;
  • taksa të ulëta për biznesin - në krahasim me Europën 2-3 herë më të ulëta;
  • asnjë (ose shumë pak) ndërhyrje shtetërore në tregun e punës.

Pra, shkurt, për çfarë modeli ekonomik po flasim? 
Flexicurity
Flexicurity jepet në programin e PS-së si një model i mbrojtjes shoqërore në marrëdhëniet e punës (për punëdhënësin dhe punëmarrësin). Flexicurity është një program që është aplikuar në Danimarkë - (lexo: në Danimarkë) - ku tregu i punës ka një flexibilitet të jashtëzakonshëm; pra, pjesa e parë e termit (flexi) të mbështetur nga një sistem shtetëror (security). Në gjithë vëndet Skandinave vetëm Danimarka e ushtron këtë sistem. A mund ta aplikojë Shqipëria këtë sistem mbrojtjeje? Natyrisht! por mbas një shekulli pasi të jetë përfshirë në ekonominë botërore, ashtu si Danimarka nuk e aplikoi këtë program qysh në shekullin e 19-të kur u bë pjesë e ekonomisë botërore por mbas një shekulli. Atëherë kur në një sistem tri-partite, ku biznesi, shteti dhe fuqia punëtore bien dakort në shumë pika. Të tre këta pjesëmarrës në Shqipëri mungojnë, ose më mirë të themi janë në gjenezat e tyre, nëse duam të jemi pak optimist.
Programi
Kushdo që është marrë me projekte - publike apo biznesi, nuk ka dallim - e kupton mirë faktin se si i tillë ai kalon në disa faza. Projekti në vetvete (A) analizon situatën "si është gjëndja," pastaj (B) formulon "ku duam të shkojmë" dhe, më kryesorja, (C) "Si do shkojmë atje." Një komponent kryesor i pikës (C) është fondi - paratë. Nga do merren, dhe si do investohen. Një i pastrehë mund të donte të flinte në shtëpi, apo hotel, por me mundësitë që ka vetëm poshtë ndonjë ure mund të flejë (ose lulishte kur është koha e bukur). Dhe vlerësimi i asaj çfarë është arritur, pra, pika (D) është shkalla e fundit.
Le të kthehemi tek programi "Rilindja." Ai ka katër shtylla dhe në secilën prej tyre janë identifikuar probleme. Pas indentifikimit, kalohet në atë se çfarë ofron programi - premtimet - pra, ku duam të shkojmë. Premtimet janë pjesa më e rëndësishme e çdo fushate politike, pa ato nuk mund të fitosh. Mbas çdo fushate partia që vjen në pushtet, në gati të gjitha rastet, i ka thyer premtimet. Siç shprehen progresistët, ata nuk duan të fitojnë "duke premtuar gjithçka që nuk është e mundur, po duke bërë gjithçka" që munden (f. 10). Por fatkeqësisht, programi është i mbushur vetëm me premtime! Dhe metafizikë ala-shqiptare. P.sh., në vendosjen e shtetit të së drejtës (pika 3.2 për atë që është i interesuar) PS synon të rivendosë drejtësi ligjore, ligjin e drejtë për të gjithë. Por pyetja, si gjithmonë, është: si do bëhet? Nëpërmjet ligjit, është përgjigja e progresistëve. Një metafizikë e tillë më kujton Kant-in e madh kur zbuloi a priori, sipas Nietzsche, një fakultet të ri tek njeriu - gjykimin sintetik. "Por si janë të mundshme këto gjykime sintetike a priori? Nëpërmjet një mjeti të një mjeti" ("By means of a means"). Pra, ligji nuk punon siç është, por forcohet dhe bëhet i drejtë nëpërmjet ligjit. Retorika të tilla (në sensin modern të termit) boshe gjenden gjithandej, p.sh., si luftohet korrupsioni? Duke e ç'rrënjosur atë! Si do ta rregullojmë shëndetsinë? Duke i dhënë çdo qytetari shërbim shëndetsor universal. Për mos të folur për terma e koncepte të tjera të huazuara që në Shqiperi nuk kanë aplikim! 
Çfarë i mungon programit dhe secilës shtyllë janë si do arrihet aty ku duam të shkojmë. Sa fonde duhet dhe si do investohen. Einstein, i mërzitur nga pritja e ftohtë e teorisë së tij, i shkruan një miku të vet, "njerëzit janë të shurdhër ndaj argumentave më të forta por tendenca e tyre është të mbivlerësojnë matjet e sakta." E kishte fjalën për shifra, numra. Këtij programi i mungojnë argumentet - pasi janë vetëm premtime - dhe shifrat! Shqipëria merr borxhe në tregjet financiare (bond markets) me shkallë mos-pagimi më të lartë (4%) në rajon mbas Bosnjë-Hervegovinës (4.5%). Kjo përqindje ekspozon dobësinë dhe jo-besueshmërinë ndaj ekonomisë shqiptare. Nuk mbahet shtëpia me miell hua, është një shprehje e urtë e popullit. Është mit, pasi gjithë Shqipëria jeton me remitanca dhe nuk prodhon. Biznesi i vogël dhe mesatar është në gjëndje katastrofike, bujqësia akoma më keq. Kohët e fundit u aprovua një fond prej €31 milionë nga BB në ndihmë të fermerëve shqiptarë. Bujqësia ka nevojë për 10-herë më shumë fonde me interes të ulët etj. Dhe për ta mbyllur, siç e përmendëm më lart si pjesë e çdo projekti, si do maten ato çfarë u premtuan dhe ato çfarë do të ndërtohen.
Teknologji
Programi përmend me të drejtë gjëndjen katastrofike të sistemit online (fjala "teknologji" përdoret 7 herë) dhe premton të ndërtojë një sistem online ekonomik në shkallë kombëtare (përsëri nuk jepet se si do arrihet kjo gjë, sa do shpenzohet? etj.). Ajo çfarë premtohet në program mbetet marxhinale. Më shumë nevojitet! Ky ndryshim duhet të fillojë, e para, me faqet e internetit të vet partive politike; përveç 4-5 partive kryesore të tjerat nuk kanë faqe interneti (PR, PSD, AD dhe të tjerat me radhë); PD akoma nuk ka nxjerrë programin e saj, dhe partitë që do merrnin më shumë pikë për një faqe të thjeshtë dhe me informacionin e duhur për vizitorin janë FRD dhe PD, të gjitha të tjerat që kanë faqe interneti janë të dobëta dhe kanë mangësira. Shqipëria vuan nga një analfabetizëm kompjuterik të padëgjuar edhe në vëndet më të varfëra. Përveç, Facebook-ut, natyrisht! të gjithë e dinë se çfarë është. Ndërkohë që vënde si Kinë apo Indi forcojnë sistemin edukativ dhe ekonominë dixhitale dhe shkencore, në universitetet shqiptare nuk ka akses të mirëfilltë në arkiva shkencore (JSTOR, EBSCO etj.) dhe nuk jepet asnjë alternativë në këtë drejtim. Kemi pastaj guximin të argumentojmë se kemi një fuqi punëtore të kualifikuar - pyetja, si gjithmonë, është në cilën fushë? Më poshtë paraqitet një grafik i pozicionimit të studentëve shqiptarë (15-vjeçarë) në krahasim me disa vënde të rajonit. Programi PISA mat kompetencat e studentëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Source: OECD PISA 2009 database; i kompiluar nga autori.

Duke parë përpara

Programi i PS-së  ishte i vetmi program i gatshëm online që mund të gjeja për qëllimin e shkruajtjes së këtij artikulli, i cili nuk synon asnjë lloj pozicionimi partiak. Përkundrazi, objektivi kryesor ishte analiza a asaj çfarë ofrohet në prag të zgjedhjeve të reja me synim përmirësimin dhe përshtatjen me realitetin socio-ekonomik dhe politik shqipëtar. Ky artikull është dhe një përpjekje për qartësim konceptesh e terminologjie që kaq shumë mungon - jo vetëm në programe të tilla - në artikuj apo dokumente shqiptare.

Sunday, December 9, 2012

Nacionalizëm në Shqipëri? Che bella voce!


Jam shtytur për të shkruar mbi nacionalizmin e shqiptarëve në rajon nga një artikull i botuar në mediat shqiptare por edhe nga politizimi që i është bërë kësaj çështjeje. Politizim apo jo i kësaj çështje shihet nga disa si problematike nga të tjerë (duke përfshirë veten time) si jo i tillë. Përse kështu? Historikisht (pra një faktor) dihet dhe nuk mund të hidhet poshtë se shqipëtarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi, Kosovarët, e të tjerët në veri të Greqisë i përkasin një kombësie. Nëse mund të jenë në një shtet të vetëm është potencialisht teorike por gjëndjen aktuale e dimë të gjithë. Aktualja dhe potencialja ndryshojnë por gjithashtu dimë se nocion si 'nacionalizëm' në Shqipëri nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar pasi institucione si ai i fesë, p.sh., nuk kanë qënë në gjëndje, ndryshe nga vëndet fqinjë si Serbi apo Greqi, të bëjnë një punë të tillë - pra një punë ushqimi i këtij nocioni. Nëse mund të shtoj edhe diçka tjetër, ka qënë nacionalizmi i fortë i këtyre vëndeve që ka prodhuar (për mua të paktën) histori në Ballkan dhe jo Shqipëria. Rasti i saj zhvillohet si aksidentalisht përkrah kësaj historie.

Dua t'i drejtohem artikullit "Nacionalizmi, Blushi: Bashkimin e pengon Shqipëria"[1] ku më shumë se politikë ka një mjegulli nocionesh dhe konceptesh, për mos të folur për qartësinë dhe qëndrueshmërinë e argumentave. Njerëzit kudo që janë duan të përmirësojnë jetën e tyre; ky është një parim bazë i natyrës njerëzore. Kjo nuk e ushqen nacionalizmin shqiptar - e përsëris, historikisht në Shqipëri kanë munguar institucione që nxisin këtë gjë - mënyra sesi arrihet kjo është faktori ndryshues. Ideologët (politikë apo të tjerë) duhet të punojnë mbi një platformë të njëjtë vlerash, vlera këto që do ndihmojnë në qëllime të përbashkëta nëse teorikisht kërkohet një diçka e tillë. "Ne besojmë se koha na ka marrë, më shumë se na ka dhënë," thotë në fillim të artikullit Z. Blushi. Koha nuk merr e as nuk jep. Koha është një koncept bosh që metafizika (apo dhe fizika) akoma nuk dinë si ta përcaktojnë apo kategorizojnë. Koha përdoret për të kuptuar fenomenin por nuk është pjesë e saj, është jashtë saj. Shqipërisë, për tu futur në temë, i janë marrë gjëra jo vetëm nga të tjerët por dhe nga ajo vetë. Për rastin e parë të gjithë flasin (një copë këtu e një aty), për pikën e dytë nuk dëgjon shumë. Të dyja janë të ndërlidhura, por faktorin e dytë ne si shqiptarë e kemi në dorë ta bëjmë (ose jo) vetë. Faktori i jashtëm gjithmonë merret (dhe duhet marrë si i tillë) në konsideratë në hartimin e ligjeve (shembull: hartimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ai i Kosovës nuk mund të mendohen pa pasur parasysh këtë faktor).

Z. Blushi e ndan nacionalizmin shqiptar në tre lloje: një i shqiptarëve të Shqipërisë, një i kosovarëve dhe një i shqiptarëve të Maqedonisë. Atëherë përse ta quajmë 'nacionalizm shqiptar' dhe jo të ndarë në tre degë të ndryshme me emrat përkatës? Për më tepër, ekziston një mendim që është i gabuar midis ideologëve (qofshin politike apo akademikë) shqipëtarë - se një gjuhë e njëjtë e bën një komb. Ajo është një nga faktorët por jo faktori determinues. Meqë jemi të familjarizuar me Otomanët, për ata të qënurit Otoman konsistonte në një ideologji - dhe jo gjuhë - të përbashkët. Dhe siç e tregon historia me dhjetëra 'kombe' të tjera e përbënin atë shtet duke përfshirë edhe kombin tonin (për 500 vjet). E njëjta gjë vlen dhe për kombet/shtetet e reja të formuara dy shekujt e fundit (d.m.th. Amerikë, Kanada, Australi - problemi i gjuhës është më delikat, por ideja është e qartë).

Shqiptarët e Shqipërisë e shohin nacionalizmin si mjet për rregullimin e shtetit shqiptar, thotë Z. Blushi. Shqipëtarët e Shqipërisë  ndjekin vetëm një ideologji - nihilizmin. Që është: të mohosh çdo gjë që sheh e dëgjon - për ta asgjë nuk ka kuptim, çdo gjë është e degjeneruar, kalbëzuar dhe korruptuar. Ligji bazë i llogjikës - jokontradikta - tek ta nuk ka aplikim. Këtë fenomen dikush e sheh qartë tëk të moshuarit ( e kam të vështirë të përcaktoj moshë por në të 50-at çdo shqiptar e quan veten të moshuar) dhe çfarë do dëgjosh? Aq e patëm, kjo ishte jeta! Për ta tashmë jeta është çfarë të marrin mbrapsht (nga shteti, shoqëria apo familja!). Ata thjesht presin se çfarë të tjerët "do bëjnë" me ta. Ato ndjesi natyrale të të kërkuarit, debatuarit apo dhe mësimdhënies nuk janë prezente. Çfarë dëgjon janë vetëm ankesa deri në pikën që edhe vetvetja (po të ishte një tjetër) do mërzitej! Shqiptarëve të Shqipërisë u mungon ideologjia e jetës - ajo se çfarë konsiston të jesh shqiptar; u mungojnë një sërë vlerash që duhet të kenë dhe profesojnë, të cilat e ndihmojnë njeriun te jetë i tillë dhe jetë gjithashtu pjesë integrale e shoqërisë në të cilën jeton (në Shqipëri, në rastin tonë). Janë këto vlera që po të ndahen nga të gjithë njëlloj ndihmojnë në të qënurit një komb - por siç e shohim vetë brenda Shqipërisë ekzistojnë shumë ndarje dhe, e përsëris, nëse ka një ideologji të përbashkët për shqiptarët e Shqipërisë është nihilizmi jo nacionalizmi (çfarë është nacionalizmi? Diku-diku është i fshehtë, e gjetkë më i hapur.)

Kosovarët, nga ana tjetër, kanë edhe ideologjinë por edhe vlerat - "vetëm me punë do ecin përpara" është njëra nga ato. Ata i profesojnë dhe i ndjekin njëlloj. Zhgënjimi që ata ndiejnë është me atë që ata e konceptojnë si 'epiqëndra e kombit.' Kosovari ka qënë gjithmonë si një vëlla më shpirtgjerë dhe falës, më mikpritës dhe racional. Më shumë se kushdo tjetër ata kanë kontribuar në mbajtjen lart të atij emri të quajtur 'shqipëtar.' Me artet dhe akademikët, me organizata emigrantësh dhe studiuesit e tyre të organizuar më mirë dhe më shumë në kontakt me vendin e tyre, ata jo vetëm do ia kalojnë Shqipërisë por kanë potencialin për të qënë model në rajon. Dhe prapë si një vëlla më i pjekur dhe i matur do qëndrojnë krahëhapur për të humburin, nëse i humburi do hapë sytë dhe do dojë të dalë nga hendeku ku ka ngelur.

Për shqiptarët e Maqedonisë Z. Blushi nuk është i mirë-informuar. Ata përbëjnë 40% të popullsisë në një shtet që vazhdon i mëkëmb dhe i përbuz, ku të drejtat më minimale nuk ndiqen dhe as zbatohen. Ata kërkojnë ndryshim dhe ndryshimi është i dyllojshëm: njëri është i avashtë që merr kohë dhe tjetri revolucionar. Por, të mos jesh pjesë integrale e shtetit ku dikush jeton ku edhe ku të drejtat nuk të jepen apo njihen dhe mos të kërkosh ndryshim, për Z. Blushi, duket strategji më e drejtë.

Për ta mbyllur këtë artikull ala-Zizek, dhe për të bërë një paralelizëm për gjëndjen e shqiptarit jap një barcaletë të ushtarëve Italianë e cila është si vijon: Në hendeqet e Luftës së Parë Botërore një oficer thërret ushtarët për tu hedhur në sulm - "Ushtarë, në sulm!" Asnjë përgjigje. Ai i thërret për herë të dytë. Përsëri asnjë përgjigje. I thërret për herë të tretë. Një ushtar me zë të mekur thotë, "Sa zë i bukur!" (Che bella voce). Shqiptarët janë si ushtarët në hendek, gjithmonë të mbrojtur ndryshe nga kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë që kanë qënë më të hapur ndaj sulmeve ideologjike qofshin nacionaliste apo të tjera. Ka qënë kjo eksperiencë me rreziqet dhe mundësitë e cila i bën ata më të prirur potencialisht për të ecur përpara. Në hendek shqipëtari nuk di se çfarë bëhet jashtë. Shqiptarët kanë humbur besimin, shpresën dhe dashurinë - tre vlera që kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë i kanë dhe i promovojnë. Besimi është historik, dikush beson tek komuniteti, fshati, familja etj; shpresa i drejtohet të ardhmes, kërkon ndryshim; dashuria i mban bashkë këto të dyja dhe virtyte të tjera gjithashtu. Kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë një detyrë: tu mësojnë bashkëkombësve të vet: "sesi duke qënë më keq dhe më të vuajtur, ia arrijnë t'i mbajnë lart këto virtyte." Shqipëtari nga ana tjetër duhet të jetë i hapur për të mësuar dhe përvetësuar, për të veshur veten me frymën shqiptare.








[1] http://www.panorama.com.al/2012/12/03/nacionalizmi-blushi-bashkimin-e-pengon-shqiperia/